Për Tiranën, janë caktuar tashmë dy kandidaturat: nga njëra anë kryesocialisti Edi Rama do të provojë të mbajë postin e kryetarit të baskisë për të 4-tën herë radhazi, nga ana tjetër, demokrati Lulzim Basha do të përpiqet t’i heqë më në fund të majtës monopolin mbi kryeqytet
Tiranë, 27 mars 2011 – Një ditë përpara përfundimit të afatit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 8 majit, dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet të mbledhin sot forumet për të zyrtarizuar emrat që do të garojnë për 383 njësitë vendore në shkallë vendi.
Për zgjedhjet vendore do të konkurrojnë 56 subjekte politike, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione- koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin”, i kryesuar nga PD dhe që përfshin 22 parti, dhe koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” i drejtuar nga PS që përfshin 23 parti.
11 subjekte të tjera zgjedhore kanë vendosur të konkurrojnë më vete në zgjedhjet e 8 majit, mes të cilave dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që pak ditë më parë refuzoi të jetë pjesë e koalicionit të majtë, pasi siç u përfol, aleatja e saj, Partia Socialiste, nuk mbështeti rikandidimin e Vasil Bollanos në krye të bashkisë së Himarës. Sipas kodit zgjedhor, emrat e kandidatëve, me të cilët do të garojnë subjektet politike, duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda datës 28 mars, që është dhe afati i fundit ligjor.
Deri tani janë shpallur dhe prezantuar kandidatët për bashkinë më të rëndësishme, atë të kryeqytetit.
Gjatë prezantimit të programit të tij, tre ditë më parë, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha u shfaq larg një debati politik me rivalin e tij, kryesocialistin Edi Rama i cili do të rikandidojë për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës. Basha u përqendrua në problemet e shumta të Tiranës dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre nëse qytetarët votojnë kandidaturën e tij.
Lulzim Basha është pjesë e politikës shqiptare prej vitit vitit 2005 kur ai fitoi mandatin e deputetit, për të drejtuar më pas disa prej ministrive me të rëndësishme si të Infrastrukturës, të Jashtme dhe të Brendshme. Ai konsiderohet nga demokratët si “personaliteti i duhur për të drejtuar Tiranën drejt përmbushjes së ëndrrës së të gjithë qytetarëve për të pasur një kryeqytet modern evropian”.
Kryesia e Partisë Socialiste pritej të miratonte të shtunën pasdite listën e kandidatëve për zgjedhjet e 8 majit, por mbledhja është shtyrë për të dielën.
Në Tiranë, e majta do të ketë si kandidat kryesocialistin Edi Rama, të enjten në darkë, në ekranin e Top-Channel-it deklaroi ambicien e tij për një mandat të katërt në krye të bashkisë. Kryesocialisti ka treguar se fillimisht kishte menduar që pas tre mandatesh të tërhiqej nga drejtimi i Tiranës, por sipas tij, kërkesat e qytetarëve të shumtë, e shtynë që të rikandidonte. Gjatë intervistës Rama nuk bëri të ditur se çfarë do t’i ofrojë kryeqytetit në këtë mandat të katërt, por u shpreh i sigurt se do të fitojë ndaj rivalit të tij Lulzim Basha.
Me profesion piktor, Edi Rama u shfaq aktiv në politikën shqiptare në vitin 1998, kur u emërua në krye të Ministrisë së Kulturës dhe dy vjet më pas u zgjodh kryetar i bashkisë më të madhe në vend. Prej vitit 2005 Rama drejton dhe PS-në, pas dorëheqjes së Fatos Nanos.
Në këto zgjedhje sërish mbeten praktikisht të përjashtuar emigrantët edhe pse përbëjnë një përqindje të lartë të popullsisë. Janë të regjistruar në listat zgjedhore, por janë të paktë ata që do të shkonin në Shqipëri më 8 maj vetëm për të votuar.
A duhet të kenë zë edhe ata në zgjedhje? Pse jo. Kanë aktivitetet e tyre, apo kanë ndihmuar të afërmit të hapin një aktivitet, kanë investuar atje duke blerë pasuri të patundshme, ndaj edhe do të ishte mirë të kishin mundësi të shprehnin mendimin e tyre me votë se nga kush të qeverisen edhe në nivel lokal.
Po ju ç’mendim keni? Shpreheni në sondazhin në të djathtë të artikullit.