in

Gjatë verës, shqiptarët pa viza në Kroaci

Qeveria kroate ka vendosur heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë për periudhën korrik – tetor 2010. Ky fakt lehtëson veçanërisht emigrantët shqiptarë në veri të Italisë e vende të tjera të Europës qendrore e veriore, që duan të kalojnë pushimet në Shqipëri dhe u duhet për këtë të lëvizin transit përmes Kroacisë

Gjatë një takimi të enjten e shkuar me kryeministrin shqiptar Berisha, ambasadori kroat në Tiranë, Darko Javorski, e njoftoi se qeveria e vendit të tij ka vendosur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë për periudhën verore, nga 1 korrik deri më 31 tetor 2010, si shprehje të marrëdhënieve të partneritet dhe të miqësisë  mes dy vendeve,  të cilat u anëtarësuan së bashku ne NATO dhe kanë ndërtuar një gamë të gjerë bashkëpunimi.

Sipas komunikatës së shtypit të Këshillit të Ministrave “ky vendim vjen edhe si rrjedhojë e rezultateve të larta të qeverisë shqiptare  në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me BE, çka ka bërë të mundur që kontrolli i kufijve dhe siguria e dokumenteve ne Shqipëri të jetë në standardet më të larta ne Evrope”.
Kryeministri Berisha i ka përcjellë kryeministrit të Kroacisë Kosor falënderimet dhe përshëndetjet me te përzemërta. Sipas Berishës, “ky vendim është kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe një ndihmë e çmuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në rajon”.

Vendimi për heqjen e vizave, për sezonin turistik, i cili u mor pas insistimit te qeverisë shqiptare,  do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve shqiptare, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Kroaci, apo të zhvillojnë veprimtari të ndryshme tregtare me Kroacinë. Por ky vendim është veçanërisht i dobishëm për emigrantët shqiptarë në veri të Italisë e vende të tjera të Europës qendrore e veriore, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri me familjet e tyre dhe u duhet për këtë të kalojnë transit përmes Kroacisë.

Shqipëria vendi më i varfër i Europës

I-tigi, Këngë për Ustikën