in

Dokumentet e qëndrimit/2 – Pyetjet tuaja

Jam nga Korça dhe jetoj në Abruzzo prej kohësh. Kam një pyetje në lidhje me pensionet këtu në Itali. Prindërit e mi kanë 10 vjet rezidencë në Itali dhe i kanë kaluar 65 vjetët. Kur u takon të marrin një pension në Itali dhe a keni dijeni për ndonjë marrëveshje mes dy vendeve për çështjen e pensioneve. Kresar

Për sa i përket pensioneve, meqenëse janë prej 10 vjetësh rezidentë në Itali dhe meqenëse janë mbi 65 vjeç, prindërit tuaj  mund të kërkojnë atë që quhet pension social. Natyrisht nëse ndërkohë kanë marrë edhe kartën e qëndrimit. Kërkesa i drejtohet INPS-it të zonës.
Sa për marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen reciproke të viteve të punës për arritjen e vjetërsisë për pension ende nuk ka një të tillë.

Në tetor mbush 5 vjet që jetoj në Itali. më skadon leja e qëndrimit në maj, a mund të aplikoj drejtpërdrejt për kartën e qëndrimit? Rezi

Jo Rezi, mund të aplikoni për kartën e qëndrimit vetëm pasi të keni mbushur 5 vjet në Itali që kërkohen nga ligji. Nëse leja e qëndrimit ju skadon në maj dhe mbushni 5 vjetët vetëm në tetor, do të kërkoni fillimisht (dhe detyrimisht) përtëritjen e lejes së qëndrimit dhe më tej mund të tentoni “të përfitoni” nga burokracia. Nëse deri në tetor nuk ju është përtërirë akoma leja e qëndrimit, mund të integroni praktikën e të kërkoni kartën e qëndrimit. Nëse ndërkohë jua kanë dhënë, nuk ju mbetet tjetër veçse nga tetori e tutje të kërkoni kartën e qëndrimit, që sot quhet leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë.

Jam një 22-vjeçar nga Tirana e  para 8 muaj kam ardhur në Itali me vizë.  Kam hyrë në territorin italian para liberalizimit të vizave. Këtu kam të gjithë familjen time, prindërit edhe vëllanë dhe të tre janë me dokumente, ndërsa unë qëndroj ilegalisht. A ka ndonjë mundësi që edhe unë të pajisem me dokumente qëndrimi, meqë unë kam hyrë në mënyrë të rregullt dhe jetoj pranë familjes sime? Kejdi

Kejdi, më vjen keq, por rrugëdalja më e mirë për ty ishte që të paraqitej një kërkesë punësimi më 30 janar, në kuadrin e flukseve. Por tashmë është shumë vonë, zakonisht kuotat e vëna në dispozicion nga qeveria përfundojnë me kërkesat e nisura sekondat e para.
Të kujtoj se në periudhën prill/maj bëhen kërkesat për viza studimi. Sigurisht do të jetë një praktikë që paraqitet në konsullatën italiane në Tiranë. Me një vize një vjeçare mund të qëndrosh e të studiosh në Itali me dokumente të rregullta dhe, ndërkohë do të mund të presësh qetësisht rastin e dekretit të flukseve të ardhshëm.

Kam leje qëndrimi njëvjeçare të lëshuar nga shteti italian. A kam të drejtë që me këtë dokument të shkoj e të punoj në Zvicër? Po në ndonjë vend të BE-së? Fahri morina

Jo Fahri, nuk mund të shkoni e të punoni me këtë dokument as në ndonjë vend tjetër të BE-së e as në Zvicër. Lejet e qëndrimit që lëshohen nga Shteti italian nuk kanë vlerë për qëndrime me kohë të gjatë në shtetet europiane. Këtë mundësi jua  jep vetëm karta e qëndrimit.

Unë kam pesë vite si rezident në Itali (nga viti 2006), por deri në vitin 2010 kam pasur lejeqëndrim  me kohëzgjatje  gjashtëmujore si azilkërkues.  A më njihen këto vite në mënyrë që tani të kërkoj leje qëndrimi BE? po për shtetësinë a llogariten? Mursel Morina

Gjatë viteve kur keni qenë në pritje të azilit politik, keni qenë gjithsesi me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Meqë keni qenë edhe rezident të gjitha vitet do t’ju llogariten qoftë për të kërkuar lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, qoftë për praktikën e shtetësisë.

Avv. Ledia Mirakaj

Lexo edhe: Dokumentet e qëndrimit/1 – Pyetjet tuaja

Bien ndjeshëm remitancat e emigrantëve

Fule: Kriza politike rrezikon integrimin e Shqipërisë në BE