“Terremoto a Tirana” është titulli i një tregimi, të gjatë të romancuar të jo pak por dy viteve të gjata të fundkomunizmit shqiptar në Tiranën surreale të atyre viteve. Janë dy vite që autorja Serena Luciani, i ka jetuar në vetën e parë, për sa absurde mund të duket pikërisht në atë Tiranë të çuditshme të asaj kohe. Një periudhë e vështirë e ngarkuar me tension por edhe e boshatisur nga jeta, prej një boshësie në fuqi të kushedisesajtë që mund të ndiejë një i huaj në një vend si Shqipëria e atëhershme e izoluar, e padepërtueshme, e akullt dhe shpërfillëse. Ato vite shqiptare u ngjizën në një material letrar të dendur që edhe pas kaq shumë vitesh iu shfaq autores si një nevojë e pamposhtshme për ta shkruar për të hedhur e ekzorcizuar në letër Shqipërinë e çuditshme aq plangprishëse të asaj kohe. Prej këtej doli një material voluminoz i jashtëzakonshëm mendimesh të vërshuara lumë, e më pas të reduktuara e të organizuara në një libër të pranueshëm me titullin Terremoto a Tirana, Tërmet në Tiranë.
Protagoniste është një vajze italiane, që është projektimi në ngjarje i asaj që i ndodhi vetë autores e cila vërtetë para 20 vjetësh e gjeti veten të zhytur në realitetin e padeshifrueshëm të Tiranës së atyre viteve, si drejtoreshë e institutit të kulturës italiane. Në libër përshkruhet ajo lloj bote e sikletshme, e Tiranës që prehej në mugëtirë dhe e ndërkombëtarëve cinikë, të ndërthurur me pushtetin e rrezikshëm shqiptar, në një situatë qëndrimi të përhershëm mbi gjemba, hipokrizie, e meskinitetesh në një ambient të mbushur me spiunë potencialë e spiunë të vërtetë, ku njerëzit në vend të emrave identifikohen me numra sipas radhës dhe largësisë që kanë nga qendra e pushtetit. Një botë e llahtarshme, që edhe pse pas kaq vjetësh autorja nuk arrin të fshehë plotësisht pas buzëqeshjeve moderuese. Është një libër që pavdekëson një botë që nuk është më, të cilës nuk i ka mbetur pothuaj asnjë gjurmë e perceptueshme me të sy të lirë në Tiranën e sotme. Prandaj ka një funksion ndriçues e informues veçanërisht për ata breza që atë botë të çuditshme e kanë jetuar pak ose aspak.
Një italiane në Tiranë
Luciani ishte në atë kohë një vajzë italiane, komuniste, e mbrujtur me idealet e revolucionit të ’68. Tirana hyri në jetën e saj krejt rastësisht, pas fitimit të një konkursi të ndërlikuar të gjatë e durimsosës nga ato që zakonisht zhvillojnë ministritë italiane. Ndër mundësitë më e pamundshmja ishte Tirana e afërt por e largët që askush nuk dinte si të imagjinonte. Kështu në ’88 e largët italiania komuniste, pa paragjykime borgjezësh buzëhollë nisi rrugëtimit drejt Tiranës dhe drejt Shqipërisë së çuditshme. “Nuk dija asgjë për Shqipërinë” pohon mendueshëm sot ndërsa përpara një çaji avullues mundohet të kujtojë përshtypjet e para të asaj aventure të gjatë. Shqipëria e atëhershme ishte një vrimë e zezë në hartën evropiane, në qendër të Evropës, por e mbyllur dhe e izoluar si asnjë tjetër.
Ndërkohë gëlonte në krizë të plotë Jugosllavia e pas Titos, që shumëkush në perëndim e njihte, e eksploronte dhe familjarizonte pandërprerë. Prandaj edhe promovuesja e re e kulturës italiane në Tiranën e çuditshme, zgjodhi të zbulonte këtë botë të re, të largët gradualisht duke përshkuar me makinë Jugosllavinë fqinje, për t’iu shmangur shokut drastik që sjell zhvendosja e pashpirtë dhe teknologjikisht e ftohtë me avionët e pakët të linjës.
Dhe Shqipërisë i afrohej ngadalë. Nëpërmjet Dalmacisë së mrekullueshme, e bregdetit malazez që ishin një paradhomë e tmerrit që do të gjente në Shqipëri. “Kur u thashë malazezëve se do të shkoja në Shqipëri, shtangën të çuditur me cinizëm. Atëherë fillova të mendoja nëse Shqipëria mund të ishte më keq se Mali i Zi, që dergjej në një situatë të mjerueshme”. Dhe këtu lind vetiu pyetja, po Shqipëria, kalimi i kufirit hermetik shqiptar? “Binte shi, dhe ishte një ditë tepër e zymtë. Më bënë përshtypje që anës rrugës, shumë primitive, kishte njerëz që ecnin pa çadër, sikur shiu të mos u bënte përshtypje, sikur të ishin mësuar me çfarëdolloj të keqeje dhe asgjë të mos u bënte më përshtypje. Zbulova veriun e mjerueshëm të Shqipërisë”.
Tirana në vitrinë
Tirana e atëhershme ishte tepër edhe për një komuniste idealiste, që kishte eksploruar vendet e botës së tretë me çantë në shpinë e atlete të rehatshme. Ishte një qytet gri, me arkitekturë totalitariste, ku komunizmi dhe fashizmi e kapin njëri tjetrin prej dore në harmoni të papërsëritshme gjetiu. Ndërsa grija, dhe bulervardet e paanë, të konceptuar për të grumbulluar turmat e grigjës totalitariste, mbizotëroheshin nga heshtja. Asnjë gjurmë e trafikut, dhe kolapsit që ngurtëson jetën kryeqytetase sot. “Kishte një heshtje të admirueshme, ishte prehëse si të ishte një periferi jashtë qyteteve” kujton këtë herë në mënyrë pozitive Luciani.
Por Tirana mungonte, shpirti i qytetit, njerëzit mungonin, nuk ishin aty. Nuk dihej ku të qe degdisur riti ballkanas që mishëron katërcipërisht shoqërizimin në atë anë të botës. “Mendoja se do të gjeja atë jetë të ngeshme të shtyrë kafeneve si në Beograd, si kudo në pjesën tjetër të Ballkanit, por nuk kishte asnjë gjurmë të kësaj, vetëm pak kafene elitare, dhe dyqane të boshatisura ëmbëlsirash”.
Dhe tiranasit ishin fantazma. Ndërsa në sytë e tiranasve të huajt e pakët që herë pas here dilnin rrugëve të Tiranës ishin të tejdukshëm, dhe askush nuk duhej t’i përshëndeste e aq më pak të krijonte marrëdhënie shoqërore me ta. Tiranasit dhe të huajt ishin dy botë paralele që vështroheshin, shikoheshin me bisht të syrit plot kuriozitet reciprok, por nuk guxonin t’i afroheshin njëri-tjetrit. “Më linin përshtypjen se ishin njerëz shumë të trishtë, e të trishtuar. Por çuditërisht çdo fundjavë në restorantin e hotelit tim, kishte festa, dasma të jashtëzakonshme, që ishin vetëm maja e ajsbergut e atij shpirti ballkanik që nuk kishte si të shprehej në Tiranën e asaj kohe. Kishte muzikë të mrekullueshme, njerëzit kërcenin, kurse unë vdisja nga dëshira për t’iu bashkuar atyre, në festë. Por kjo nuk ishte e mundur. Ata ishin të ftohtë të paarritshëm, të mbyllur”.
Shqiptarët e asaj i ngjanin si qenie të çuditshme, të padeshifrueshme. “Kishin shumë prej italianëve të fëmijërisë sime, viteve ’50, mënyra e të veshurit, mënyra e të sjellurit në marrëdhëniet midis tyre. Por kishte edhe diçka shumë nordike, në natyrën e njerëzve, në distancën, në respektimin e privatësisë, që nuk e kanë popujt jugor. Ishin një bashkim jugu, veriu dhe lindjeje që nuk mund t’i ndaja nga njëra-tjetra”.
Vitet e vetmisë së madhe
Kur takon dikë që ka jetuar ato vite aq të çuditshme, e të fshira nga kujtesa vullnetarisht me përdhunë nga shumë breza shqiptarësh, nuk mund të mos pyesësh se si dukeshin shqiptarët në atë kohë. “Shqiptarët nuk arrita t’i njihja në ato vjet që jetova atje. Nuk do të kisha imagjinuar kurrë se ata njerëz të veshur keq, e me veshje demodé të uniformuara, të mund të kishin një ndjenjë sarkazme dhe ironie aq simpatike. Këtë e kam zbuluar vetëm pas rënies së komunizmit kur pata rast të njoh edhe atë që ata ishin nga afër. Zbulova një botë që nuk e imagjinoja se mund të ekzistonte.”
Të vetmit shqiptarë dhe të vetmit njerëz me të cilët mund të krijonte marrëdhënie një e huaj në atë kohë në Tiranë ishin funksionarët e lartë shqiptarët që vërtiteshin në ambientin diplomatik dhe vetë diplomatët. Të parët ishin maska njerëzore të pazhbirueshme me të cilët nuk mund të arrihej të krijohej një marrëdhënie njerëzore, kurse të dytët ishin perëndimorë e lindorë, që vështronin Shqipërinë e tmerrshme përtej vitrine dhe e shpotisnin me cinizmin e tyre të justifikuar e të pajustifikuar. Këta ishin kasta e të privilegjuarve që jetonin në një komunitet të paprekshëm në qendër të Tiranës. Të gjithë janë personazhe të ndërtuara në mënyrë tripërmasore në roman.
Ditët e njëllojta e të ngadalta përfundonin në vetmi të plotë në një Tiranë që nuk ofronte asgjë. “Shpesh herë më vinte të qaja në atë vetmi shkatërruese në të cilën ndodhesha, pa miq. Të vetmit me të cilët mund të lidhja një lloj miqësie të çuditshme ishte pastruesja që më kishin caktuar, një grua e admirueshme e ëmbël që ishte natyrisht edhe spiune” thotë autorja. “Ajo nuk dinte italisht unë nuk dija shqip, por merreshim vesh duke i mësuar gjuhën e secilës njëra-tjetrës.
Shkërmoqje në Sheshin Skënderbe
Fundi i viteve ’80 ishte periudha e rëndë e krizës ekonomike, që shumë shqiptarë do të kujtojnë si pjesën më të kobshme të jetës së tyre. Koha e radhëve të gjata nën retë e errëta të natës, së pagdhirë. Ndërsa komunizmi ishte në grahmat e fundit të tij, edhe pse pak kush mund të imagjinonte se një ditë atij do t’i vinte vërtetë fundi. Nuk e imagjinonin këtë shqiptarët që jetonin në errësirën hermetike të Shqipërisë së izoluar, por nuk e dinin këtë as diplomatët ndërkombëtarë, që shpesh nëpër Evropë thonë se muri u “ra praktikisht nën hundë sa hap e mbyll sytë” duke i gjetur plotësisht të papërgatitur. Dhe nuk e dinin as ndërkombëtarët e Shqipërisë edhe pse nga kulla e fildishtë ku strehoheshin kishin mundësi të vrojtonin atë që ndodhte në të dy blloqet. “Muri ra, dhe ne e pritëm me entuziazëm për atë që po ndodhte në Evropën Qendrore, por askujt nuk i shkonte ndër mend të projektonte atë që po ndodhte edhe në ndonjë ndryshim të mundshëm në Shqipëri. Këta do të rezistojnë deri në fund, këtu komunizmi nuk do të bjerë kurrë – thuhej”.
E megjithatë komunizmi filloi të lëkundej ngathtësisht edhe në Shqipërinë e pamposhtshme. Të parat hapa ishin më të parrezikshmit dhe u panë në kulturë. Një ekspozitë kopertinash librash, në vend të një panairi librash. Kaq mjaftoi për të bërë që Tirana të zbarkonte në një sallë ekspozite, dhe aty ndërkombëtarët të dilnin nga guaska e të përballeshin me shqiptarët që fillonin të ëndërronin atë që ishte jashtë Shqipërisë.
Shqipërinë me vete
Zonja Luciani jeton mes shumë copëzash të një Shqipërie të personalizuar të marrë në apartamentin e saj. Ndërsa tregon pa pushim personazhet dhe ngjarjet e para njëzet vjetësh vështrimi shëtit nëpër pikturat e murit përballë, abrastraksioniste, objekte pothuaj ekspresioniste dhe ajo ndalon për të thënë: këtë ma dhuroi një djalë në ’90 në Tiranë. I thashë ç’ngjyra të bukura ke përdorur, por ai u fye, dhe më tha, zonjë a nuk e ndjeni trishtimin qe dua të përcjell?
Ndërsa më tej në verandë shfaqet një mozaik shumëngjyrësh që ravijëzon një copëz të bukur të bregdetit shqiptar. Bregdetit shqiptar është shndërruar madje edhe një shoqatë që kujdeset për marrëdhëniet me Shqipërinë me emrin Occhio Blu, syri i Kaltër, si një nga perlat e natyrës shqiptare në Sarandë.
“Shqipëria ka ndryshuar – pohon duke cituar aty këtu ndonjë fjalë shqip – nuk është më ajo e dikurshmja. Por diçka ka mbetur, dhe duhet shpëtuar, veçanërisht duhet ruajtur Shqipëria e vjetër që rrezikon të zhduket, ajo lloj Shqipërie që mbetet e fosilizuar në kujtimet e të vjetërve”. Edhe ky libër, kërkon të fosilizojë një copëz Shqipërie që meriton të njihet veçanërisht nga brezat e rinj që me historinë kanë një marrëdhënie edhe më pak familjare se paraardhësit e tyre.
Marjola Rukaj