Në numrin 256 dhe 257 të gazetës Bota Shqiptare (që gjeni në pikat e shitjes së shtypit të huaj) dhe në të ardhshmit sjellim të përkthyer “Non abbiate paura – Grand Hotel Albania”, të prezantuar për herë të parë në kuadrin e veprimtarive “Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas” të organizuara në qytetin puljez më 11-13 mars. Falënderojmë për këtë mundësi autorin, Francesco Niccolini, kooperativën Thalassia të Brindisit, dhe Drejtorinë e Turizimit dhe Kulturës së Komunës së Brindisit. Edhe në shqiptariiitalise.com po botojmë disa pjesë të të njëjtit shkrim.
Pjesa e tretë
MOS KINI FRIKË
Grand Hotel Albania
Nga Francesco Niccolini
Mbërrin kështu 8 marsi, e premte.
Festa e gruas, dyqanet nuk hapen. Tregtarët kanë frikë: çfarë do të ndodhë kur orteku i njerëzve do të marrë rrokullimën nga stacioni detar drejt qendrës së qytetit? Kur njëzetmijë burra e gra, të dërrmuar nga ditët e protestave e manifestimeve para se të niseshin, të lundrimit e të pritjes, do të derdhen, të tërbuar e të uritur, nëpër rrugët e Brindizit? Ishin të uritur qëkur u nisën nga Durësi, pa mendo tani.
Dhe dallga nuk vonon: që në agim kangjellat e stacionit detar nuk e mbajne dot më trysninë e njëzetmijëve. Dhe ashtu, të varfër, të veshur keq, në një mars të ftohtë e me shi, refugjatët e parë nisin të bredhin nëpër qytet, në kërkim të një jete të re. Por pikësëpari në kërkim të ushqimit: fantazma, të dobët, të palarë, kutërbojnë.
Janë policët bashkiakë ata që i porositin brindizinët t’i mbajnë ulur qepenat: kyçni drynat. Por ndoshta kjo nuk është e vetmja zgjidhje.
“I bëj këtë thirrje gjithë qytetarëve të Brindizit.
Ju lutem të mos kini frikë nga njerëzit që kanë zbarkuar në Brindizi.
Kanë vetëm uri dhe ftohtë.
Nëse mund t’i ndihmoni, bëjeni dhe do të shihni që do t’ju jenë mirënjohës”
Janë fjalët e rëndësishme që një kryetar bashkie i ri në moshë pati guximin t’i shqiptonte atë mëngjes. Është thirrje për radiot dhe televizionet: mos kini frikë. Dhe kur mendoj se ç’nxjerrin nga goja sot disa kryebashkiakë të verilindjes së Italisë, me ta po, më kallet data.
Mund të vendosje ta mbyllje qytetin, të ngrije barrikada, të pranoje që kishte plasur lufta e t’i hyje, ose jo.
Do kishte mjaftuar një shkëndijë që të plaste batërdia.
Por nuk erdhi.
Në vend që t’i mbyllnin, portat i hapën.
Ndërkohë telat e telefonave mes Brindisit e Romës po skuqen: për atë zot, bëni diçka.
Dërgoni ushtrinë, kuzhina fushore, çadra fushore, kërkojmë ndihmë.
E më në fund Roma e bën diçka, emëron një komisar të jashtëzakonshëm për emergjencën në Brindizi: Vito Lattanzio. Po… ky a nuk është ministrë i mbrojtjes civile?
Pikërisht! E kush më mirë se ai!
Po por… meqëse është ministër i mbrojtjes civile, pse nuk ndërhyri deri tani? Kanë kaluar mëse 36 orë qëkur shpërtheu emergjenca.
Tani rrini të qetë, thonë nga Roma: tani kemi komisar të jashtëzakonshëm e do kryhet kjo punë.
Vito Lattanzio.
Është një politikan nga Bari, mjek kirurg, mbledh vota anembanë. NË fund të viteve ’60 është zv-ministër i Punëve dhe Industrisë; pastaj nis një karrierë veç në ngritje si zv-ministër i Mbrojtjes. Derisa më 1976 bëhet ministër i Mbrojtjes, në qeverinë e tretë të Andreottit. E aty i ndodh një bëmë që i ha kokën: arratiset nga spitali ushtarak i Romës kriminelin nazist Herbert Kappler. E fsheh në valixhe e shoqja, e fut në makinë dhe me atë makinë arrijnë në Austri pa u hyrë gjemb në këmbë. I shkreti Kappler, tërë rrugës i mbyllur në valixhe, dhe i shkreti ministër që detyrohet të japqë dorëheqjen.
Pa merak, Andreotti, me zemërgjerësinë e tij të pamasë, nuk do që barezi i vyer të vuajë shumë dhe e ngushëllon duke e emëruar ministër të Marinës Tregtare. Nga aty hopi për te mbrojtja civile është i shkurtër: në 1988 Ciriaco de Mita e kurorëzon ministër pa portofol për koordinimin e Mbrojtjes Civile. Qeveria e gjashtë e Andreottit e konfirmon dhe me rastin e festës së gruas e emëron edhe komisar të jashtëzakonshëm: jkarrierë e shkëlqyer pa njollë e pa turpe!
E çfarë bën më 8 mars 1991 për emergjencën e Brindizit kirurgu barez i sapoemëruar komisar i jashtëzakonshëm si edhe ministër i mbrojtjes civile?
Asgjë.
Absolutisht asgjë.
Bën valixhen ndoshta, sepse do të vijë nesër. Ndoshta.
Dyshimi mos Roma nuk e ka aq me nge të ndërhyjë fillon e gjarpëron rrugëve të Brindizit. Dhe brindizinët kuptojnë. S’ka rrugë tjetër: ashtu si fiorentinasit pas përmbytjes e si friulanët pas tërmetit, përveshin mëngët dhe fillojnë të bëjnë vetë.
Tridhjetetetë shkolla sekuestrohen.
Shefja e arsimit në fillim kundërshton: “Kam merak për zhvillimin e rregullt të mësimit”, oravtet të thotë.
“Kam merak se në Brindizi plas batërdia” i përgjigjet kryebashkiaku dhe prefekti.
Edhe peshkopi ka trashur zërin: “Po nuk u hapët dyert shkollave, ua hap unë kishave.” Shefja e arsimit dorëzohet.
Në stacionin detar njëzetemijë refugjatët nuk mund të rrinë as edhe një ditë më shumë. Është pamje e lemerishme: trupa njerëzish ngjitur me njëri tjetrin, që kanë veç ndonëj vagon mallrash ku të fusin kokën, ata më me fat, çarçafaë plasmasi. Pak ujë, pak ushqime, asnjë batanije e asnjë banjë. Kushtet kafshërore të atyre njëzetmijëve bredna stacionit detar nuk do t’i harrojë lehët kush i ka parë.
Punëtorët e sindikatës dalin vullnetarë për të përgatitur skollat.
Mjetet publike të transportit organizojnë zhvendosjen.
Mjekë e infermierë u vënë allçi atyre që duke u hedhur nga anijet kanë thyer këmbën apo krahun. Vizitojën e kurojnë fëmijë e të rritur të këputur nga lodhja, rreken të izolojnë rastet e sëmundjeve ngjitëse, morrat, zgjeben, hepatitin viral. Nuk ndalen më.
Kryqi i kuq dhe Caritas-i organizojnë qendrat e grumbullimit dhe shpërndarjes.
Vyllnetarët e WWF-së mbledhin nga tërë rajoni materiale të ndihëms së shpejtë.
Ata të PCI-së Partito Comuniste Italiano (më falni PDS-së, Partito Democratici di Sinistra) nxjerrin kuzhinat e festave të Unità-së dhe fillojnë të gatuajnë. Gratë e Democrazia Cristiana ngrejnë një qendër solidariteti.
Pjesën që mbetet e bëjnë familjet e Brindisit. Meqë kuzhinave fushore të ushtrisë nuk u duket as hija, le t’u kërkojmë ndihmë nënave brindizine: sikur të shtonit ca më shumë spageti sot në tenxhere, faleminderit.
Gratë nuk presin t’ua thuash dy herë dhe tepsi me pasta al forno, lazanja, patëllxhanë alla parmigiana, bëjnë larteposhtë drejt shkollave.
Nuk ishte aq e lehtë. Në fillim mbizotëron droja: njerëzit kanë frikë, dhe s’u ve dot faj, kur mendon se u është fanepsur përvballë një ushtri zombish. Ndokush zë e hedh nga dritaret qese të mbushura me bukë e djathë. Më tej të tjerë hapin dyert e shtëpisë, rihapen baret, furrat e bukës, dhe ofrojnë gjithë ç’kanë, gjithë ç’munden:fundja, janë dy mjerime qe takohen. Mes të varfërsih merresh vesh më lehtë, dhe dalëngadalë frika venitet. Shumë vetë gatuajën gjënë më të shpejtë e më të thjeshtë: vezë, tak-fak e ke gati. Siç kalon koha fluturojnë vërtet tiganët, dhe pallate të tërë mobilizohen për të sjellë gjellë të ngrohta nëpër shkolla.
Edhe familjet e kontrabandistëve shtrojnë tavolina të mëdha në mes të rrugës për t’u dhënë për të ngrënë të gjithëve. Vihen në dispozicion edhe për të mbajtur rregullin: po doli ndonjë problem, na thoni neve, merremi ne. Por probleme nuk ka.
Edhe kështu arrihet të shpëtohet një qytet.
Lexo edhe: Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 4
Testo prottetto da copyright. Traduzione e pubblicazione in albanese da “Bota shqiptare” per esclusiva concessione degli aventi diritto. “Bota shqiptare” ringrazia l’autore, la cooperativa Thalassia di Brindisi, e l’Assesorato al Turismo e Cultura del Comune di Brindisi per la gentile collaborazione.