Nga bashkëpunëtore shtëpiake te picajolë, duke prodhuar 11,1% të prodhimit të brendshëm bruto. Por fitojnë rreth 300 euro më pak se italianët.
Romë, 19 prill 2011 – Ndërsa eksponentë të ndryshëm politikë flasin këto ditë për punësimin e imigrantëve, që marrin përsipër të bëjnë atë që nuk duan më të bëjnë italianët, të vjen natyrshme pyetja: po cilët janë këta sektorë pune që nuk u interesojnë më italianëve?
Mjelës, barinj, bujq, vjelës, roje pyjesh, muratorë, punëtorë të çdo lloj natyre, kasapë, kamerierë, pjatalarës, ndihmës kuzhinierë, bukëpjekës, picaiolë, pastrues, shitës, infermierë, mbajtës barelash, kujdestarë me orar të plotë kryesisht për të moshuarit që nuk janë autossuficienti, punonjës shtëpiakë e në fund punonjës e punonjëse seksi. Këto janë punët që bëjnë imigrantët në vendin tonë e që italianët nuk duan të bëjnë më.
Sipas të dhënave të Karitasit picajolët e Milanos janë më shpesh egjiptianë se napolitanë. Në Val di Non duket se mbledhjen e mollëve e bëjnë thuajse ekskluzivisht senegalezët, ndërsa në Veneto përpunimi i lëkurës bëhet vetëm nga nigerianët. Në Reggio Emilia, hamallët dhe mjelësit janë thuajse të gjithë indianë, ndërsa komuniteti sikh është ai që i dedikohet rritjes së buallicave më shumë se italianët në Campania.
Mes komuniteteve më aktive, renditen edhe peshkatarët e Mazara del Valllo, tashmë të domosdoshëm në Sicili. Ndërsa mes kamionistëve, më të shumtët janë shqiptarët dhe rumunët. Në punët e shtëpisë kampionet mbeten filipinaset, ndërsa për kujdesin për të moshuar apo fëmijë janë moldavet dhe ukrainaset.
Imigrantët shkojnë përpara edhe si sipërmarrës: në Capri (morena) dhe Prato bien në sy sipërmarrësit kinezë në tekstile, ashtu si edhe në Arzignano (Vicenza), ku në përpunimin e lëkurës dallohen marokenët dhe serbët.
Ja pra cilat janë punët që nuk bëjnë më italianët dhe ku gjejnë vende të lira rreth 4 milionë e gjysmë të huajt e rregullt në Itali që (sipas Unioncamere 2008) prodhojnë 11,1% të prodhimit të brendshëm bruto.
Por, pagat e të huajve janë 23% më të ulëta se mesatarja e pagave në përgjithësi (duke llogaritur italianët dhe të huaj së bashku). Kjo shifër është dhënë nga Caritasi që specifikon se për gratë pagat arrijnë të jenë 28% më të ulëta. Paga neto mujore (në vitin 2009) për të huajt ka qenë 971 euro, ndërsa për italianët 1.258 euro (kundrejt një mesatareje të përgjithshme prej 1.231 eurosh).
Ndër punonjësit e huaj, shkruan më tej Caritasi, është shumë e lartë përqindja e punëve të pakualifikuara (36%), dhe shpesh shumë të huaj punojnë në kategori më të ulëta se ajo që i takon (41,7%). E ky fenomen i fundit nuk shuhet edhe për ata që jetojnë prej shumë vitesh në Itali. E ndjeshme edhe kuota e të huajve që janë të detyruar të punojnë pak orë në ditë (10,7% e numrit të përgjithshëm të punonjësve) ndërsa 4 të huaj çdo dhjetë punojnë me orare të vështira (në mbrëmje, natën).