in

Martesat për interes: ligj kundër nuseve-badante

Gjithnjë e më të përhapura martesat mes të moshuarve dhe kujdestareve të reja. Pensionet pas vdekjes të pezulluara me ligj?

Romë, 26 prill 2011 – Më 25 mars italiani Renzo Lunardi, u martua me brazilianen Camaiore Yalym Leyra Valera. Një martesë që përfundoi në faqet e shumë gazetave, megjithëse këta dy persona nuk janë personazhe të njohur. Fakti është që dhëndri është 95 vjeç, ndërsa nusja vetëm 31 dhe është kujdestarja e tij.

Martesa u shoqërua me polemika të shumta. “Qe një akt mirënjohjeje ndaj kësaj vajze – shpjegoi Lunardi – Për vite me radhë ajo është kujdesur për time shoqe, që më mungon shumë. E jona nuk është martesë dashurie. Bëra celebrimin me të për t’i dhënë mundësinë asaj të sjellë në Itali të bijën, që ndodhet ende në Brazil”.

Ky nuk është një rast i izoluar. “Në Itali çdo vit ka rreth tremijë martesa mes të moshuarve dhe te rejave të huaja : në përgjithsi burri është në gjendje të mirë ekonomike. Shpesh këto lidhje zgjasin vetëm pak muaj” shpjegon avokati Gian Ettore Gassani, presidenti i shoqatës së avokatëve italianë të çwshtjeve martesore.

Duke lënë mënjanë arësyet që çojnë në altar, shtimi i martesave mes të moshuarve italianë dhe imigranteve të reja kanë pa dyshim rrjedhoja mbi llogaritë shtetërore. Kur bashkëshorti vdes, gruaja fillon të marrë edhe një pjesë të pensionit të tij, i ashtuquajturi “pensione di reversibilità”, e sa më e re të jetë bashkëshortja, aq më e gjatë është koha që Shteti duhet të paguajë këtë lloj pensioni.

Përpara disa muajsh Manageritalia ka dhënë alarmin. Sipas kësaj shoqate “ndodh gjithnjë e më shpesh që pensioni pas vdekjes së bashkëshortit, i njihet personave edhe në moshë shumë të re që kanë lidhur martesë në muajt e fundit të jetës bile edhe pak para vdekjes, duke përfituar për disa dhjetëvjeçarë nga pensioni, gjë që rëndon shumë arkat e enteve të sigurimeve”.

Manageritalia jep edhe disa shifra, të vitit 2008. Atë vit shteti ka shpenzuar mbi 36 miliardë euro në pensione  të këtij lloji, e gati 10% e kësaj shifre i ka shkuar personave nën moshën 60 vjeçare, në 3,6% të rasteve nën 50 vjeç. Tani Parlamenti po studion mundësinë për të frenuar këtë fenomen.

Komisioni i Punës pranë Dhomës së Deputetëve prej disa muajsh po studion disa projekt-ligje për reformimin e sistemit të këtyre pensioneve. Në një tekst të unifikuar, të hartuar nga Massimiliano Fedriga, i Lidhjes së Veriut, që ndër të tjerat dëshëron të fusë disa rregulla kundër bashkëshorteve-kujdestare.

Në mënyrë të veçantë projekti i ri i ligjit parashikon që në rast se bashkëshorti/ja i vdekur ishte të paktën 50 vjeç dhe tjetri/a që jeton nën 35 vjeç, kjo e fundit nuk mund të ketë pensionin e vdekjes përpara se të mbushë moshën që kishte bashkëshorti kur kishte vdekur e gjithsesi jo më parë se të mbushë 60 vjeç. Nëse nuk punon, do të ketë të drejtë për të marrë një “paradhënie” mbi pensionin deri sa të gjejë punë e gjithsesi maksimimi për një vit.

Avokati Gassani tregohet skeptik. “Nuk besoj se mund të konceptohet një ligj që të përjashtojë të drejtën e mbajtjes dhe të përfitimit të pensionit të bashkëshortit të vdekur, në favor të bashkëshorteve te reja në moshë, sepse kështu do të krijohej një pengesë me nayrë kushtetuese. Do të ishte e paimagjinueshme të ndalosh me ligj martesat duke u bazuar vetëm në datëlindjen e çiftit”.

Avokati sygjeron që “autoritetet të vigjëlojnë mbi të gjitha martesat e karakterizuara nga një dallim moshe mbi 50 vjeç mes burrit e gruas” për të verifikuar “nëse ekzistojnë elementë për të konsideruar shkeljen e mashtrimit të personit të paaftë”. Pra më fjalë të tjera nëse gjyshi është i kthjellët dhe martohet me kujdestaren e tij të re, nuk do të jetë e lehtë të pengohet e veja të marrë pensionin.

Elvio Pasca

 

Në ambasadë, një ditë para nisjes së aplikimeve për pasaportat

Arbëreshët e Vakaricit nderojnë Ambasadorin Kola me titullin e Qytetarit të Nderit