in

Në ambasadë, një ditë para nisjes së aplikimeve për pasaportat

Nga 27 prilli nis aplikimi për pasaportat biometrike në zyrat konsullore të Romës dhe Milanos

Stafi operativ gjate pergatitjeve te fundit
Më në fund edhe shqiptarët që jetojnë në Itali apo edhe vende të tjera evropiane mund të marrin pasaportën e re pa qenë nevoja të kthehen në atdhe. Nesër nis shërbimi i aplikimit pranë zyrave konsullore shqiptare në Romë e Milano.

Pranë zyrës konsullore në ambasadën e Romës kanë mbërritur katër punonjësit operativë dhe të gjitha pajisjet e nevojshme. Stafi operativ janë katër të rinj shqiptarë të shkolluar këtu, të trajnuar nga shoqëria Aleat që sot bënin provat e fundit të marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe të fotografimit para ditës “së madhe” të nisjes së punës.

“Janë vënë në dispozicion të këtij shërbimi dy konsuj, katër punonjës operativë, një ekonomiste dhe një person që do të ndihmojë në mbajtjen e rregullit dhe dhënien e informacioneve” thotë ambasadori i Shqipërisë në Romë Llesh Kola për shqiptariiitalise.com.

Ende nuk ka një mënyrë prenotimi, pasi nuk është gjendur ende një rrugë e përshtatshme dhe jo shumë e kushtueshme, por është vënë në shërbim të të interesuarve një numër celulari (+39.342.364.0798) ku mund të merren të gjitha informacionet e nevojshme. “Kemi orarin nga ora 9.00 deri më 15.00 gjatë të cilit sigurohet aplikimi i katër personave njëherësh (katër operatorët kanë secili pajisjet e nevojshme për ndjekur një aplikim) – thotë një nga konsujt, Ervina Bendo – por nuk do të mbyllim pa përfunduar edhe të fundit person që është në radhë”. Ndërsa ambasadori Kola që gjithnjë ka qenë për gjetjen e një mënyre prenotimi të personave të interesuar për aplikimet thotë se “nëse fluksi i aplikantëve do të jetë i lartë, do të gjejnë patjetër një mënyrë prenotimi”.

Konsullja na shpjegon se aplikimi është i njëjtë me aplikimin në Shqipëri. Nevojitet që personi të vijë me një dokument të vlefshëm me fotografi qoftë ky shqiptar apo italian, dhe për të miturit nevojitet edhe prania e një prej prindërve me një dokument që të dëshmojë atësinë apo mëmësinë.

Aplikimi bëhet pasi verifikohet derdhja e parave, 10 euro për letërnjoftimin dhe 108 për pasaportën. “Mund të bëhet një pagesë e vetme në llogarinë bankare të dhënë nga ambasada, jo vetëm për letërnjoftimin e pasaportën e të njëjtit person, por edhe për dokumentet e një grupi, për të gjithë familjen për shembull, në mënyrë që të paguhet vetëm një komision bankar” siguron qoftë ambasadori Kola qoftë konsullja Bendo.

Pasaporta mund të tërhiqet nga një familjar: mjafton të vijë vetëm një për t’i tërhequr të gjitha pasaportat e familjes, ndërsa për të tërhequr letërnjoftimin nevojitet prania e mbajtësit pasi letërnjoftimi aktivizohet me shenjat e gishtërinjve.

Sipas komunikimeve zyrtare që ka ambasada “koha e nëvojshme për përgatitjen e dokumenteve është sa në Shqipëri, dy javë”, por konsullja nuk e fsheh shqetësimin se kjo mund të zgjatet për arsye të ndryshme teknike.

“Është mirë që para se të vihet për të tërhequr pasaportën – thotë ambasadori Kola – të telefonohet në celularin e vënë në dispozicion për t’u siguruar që ajo është gati. Gjithsesi po shohim mundësinë e botimit të pasaportave të gatshme edhe në internet”.

Sipas ambasadorit Kola, nesër shërbimi nis edhe në konsullatën e Milanos, e pak a shumë procedurat e aplikimit do të jenë të njëjta me ato të Romës. Natyrisht do të jetë i ndryshëm numri i telefonit dhe llogaria rrjedhëse ku do të paguhet shuma, ndaj është e arsyeshme të pritet një komunikim zyrtar nga vetë konsullata ku të saktësohen të gjitha procedurat.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Si aplikohet në zyrën konsullore pranë ambasadës në Romë

 

Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 4

Martesat për interes: ligj kundër nuseve-badante