in

Berlini i emigrantëve

Berlini është dy orë larg Romës, por në rrugët e tij atmosfera të bën të mendosh se dy kryeqytetet i ndajnë dhjetëra vite largësi. Bëhet fjalë për atë ndjesi që shpesh turisti i mesëm italian kur kthehet në shtëpi të vet e përkufizon me naivitet: “nuk ka mbetur më asnjë biond, ishin të gjithë turq”.
Reportazh nga Marjola Rukaj

Berlini është dy orë larg Romës, por në rrugët e tij atmosfera të bën të mendosh se dy kryeqytetet i ndajnë dhjetëra vite largësi. Bëhet fjalë për atë ndjesi që shpesh turisti i mesëm italian kur kthehet në shtëpi të vet e përkufizon me naivitet: “nuk ka mbetur më asnjë biond, ishin të gjithë turq”. Sepse panorama antropologjike e qytetit, edhe pse nuk është në të vërtetë më i zhvilluari ekonomikisht në Gjermani, është aq heterogjene sa në pak metër katrorë të ndodh të shikosh të kryqëzohen e të japin e të marrin mes tyre në një gjermanishte të çalë gjysmë berlineze popuj nga të katra anët e botës. Duket se kanë ngelur larg kohët kur gjermanët e boom-it ekonomik i quanin këta emigrantë thjeshtë Gastarbeiter, punëtorë mysafirë, duke nënkuptuar me saktësinë e hollësishme të pashoqe të gjuhës së “filozofëve e poetëve”, përkohësinë e qëndrimit të tyre në truallin gjerman, duke sintetizuar në një fjalë të vetme “je këtu për të punuar, na duhesh, por pastaj do të ikësh, sepse edhe mysafiri më i mirë pas pak kohë fillon të mbajë erë të keqe – siç thotë një shprehje pa atdhé”. Ky përkufizim tashmë është zhvoshkur dhe ekziston vetëm në manualet e sociologjisë, apo në gojë të ndonjë të moshuari të budallallepsur që percepton me vështirësi evolucionin e kohërave. Por nuk është korrekte të thuhet as Einwanderer, imigrant, sepse komunitetet e të huajve tashmë kanë zënë rrënjë në shoqërinë e truallin gjerman sa të mos ketë më nevojë për parashtesën “ein”. Termi më i përdorur është tashmë Migrant, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një stërhollim të intelektualëve alternativë të së majtës së ndriçuar, por për një term që ka marrë vlerën e politikisht korrektes duke deklasuar shprehjet e mëparshme pak a shumë si fyesen “negro” për komunitetet me ngjyrë të Amerikës. Dhe duket se migrantët, nuk janë më të tillë, por janë transformuar tashmë në një nën-kulturë të popullatës gjermane.

Peizazh urban

Nuk ka zonë të Berlinit që të mos jetë e tejpopulluar me migrantë të integruar, apo që thjesht kanë rikrijuar aty habitatin e vet antropologjik edhe kur vijnë nga kultura shumë të largëta. Nëpër manualet turistike thuhet se ata gjenden më së shumti nëpër lagjet e reja të Berlinit lindor, ku çmimet e ulëta dhe zhvillimi i vrullshëm urban bëjnë më të lehtë integrimin dhe mbijetesën shumëplanëshe të shtresave më të dobëta të shoqërisë. Dhe kjo pjesë e Berlinit është sot një rezultat i prekshëm i asaj cilësie që sjell mbrujtja shumë-kulturore në të njëjtin ambient, ku zonat dikur famëkeqe shndërrohen në kantiere kulturore kreative. Por migrantët berlinezë jetojnë në periferitë lindore sa jetojnë në qendër të qytetit, mjafton një vështrim i shkujdesur për të parë tiparet jugore e aziatike që dalin nga oborret e brendshme të blloqeve me pallate. Gjenden si në periferitë lindore edhe në qendër qebaptoret e gjellëtoret orientale, e gratë e mbuluara herë me burka nga ato që do t’ia bënin gjakun ujë legistëve italianë, herë me shalle elegante që rrethojnë fytyra të zeshkëta me vështrime të theksuara me truk të rëndë që të vjen vetiu të përkufizosh si sexy, por në mënyrë orientale.

turchiberlino.gifTurq, turq sa shumë turq

Dyqane të tëra me mbishkrime dygjuhëshe, ku turqishtja i mbivendoset gjermanishtes, apo thjesht ku harmonia një-zanore e turqishtes mbizotëron njëgjuhëshe, ndërsa përreth të flasin gjermanisht me paskajore dhe rrjedhshmëria e komunikimit dëgjohet vetëm turqisht. Por qebaptoreve nuk gjen vetëm turq që strehohen në oazën e tyre antropologjike larg në Evropën veriore, por edhe gjermanë, berlinezë me zanore të shtrënguara që orientohen mes kulturës së largët sikur të kishin lindur në Anadoll. Kohët e çudisë dhe ksenofobisë kulturore duket se janë lënë larg pas në të kaluarën. Ndërsa heterogjeniteti është i prekshëm kur pas dreke rrugët dhe metrotë pushtohen me shkollarë të sapodalë nga mësimi, ku vihen re paradokse që do të kishte kapur pa ngurrim syri i një fotografi politikisht të ndjeshëm, ndërsa shikon të shoqërohen midis tyre një gjermane punk, dhe një orientale me ferexhe, në një harmoni dhe afrimitet që çuditërisht nuk i bën përshtypje askujt përreth.

Por jo gjithçka është siç duket. Turqit e këtushëm janë shumë larg kulturës gjermane dhe shpesh herë ata ndërtojnë e strehohen në një botë paralele ku gjithçka zhvillohet turqisht. Mendësia gjuhësore jo indoevropiane por edhe vështirësia dhe saktësia maniakale e gjuhës gjermane, bëjnë që edhe pas disa brezash, ndërsa një pjesë e mirë e tyre jetojnë në Gjermani që në vitet ’70, ende të kenë probleme të theksuara gjuhësore e të mbeten në nivelin e komunikimit të hamendësuar. Ndërkohë që komuniteti turk në Gjermani përbëhet kryesisht nga shtresat më të varfra e më rurale të shoqërisë turke, që pak kanë të bëjnë me Turqinë e sotme moderne që ndeshet lehtë në Stamboll apo Ankara. Madje rëndom në Turqi turko-gjermanët shihen me përçmim si të ishin shtetas të dorës së dytë, ndërsa duke i krahasuar duket se turqit e Gjermanisë të jenë më turq se ata të Turqisë. Fenomeni nuk është asgjë e re nga pikëpamja sociologjike. Ndërsa mekanizmat e vetëmbrojtës së komunitetit kanë prodhuar sot një mori brezash të diasporës që nuk di të flasë mirë gjermanisht sepse jeton plotësisht turqisht, por nuk studion e nuk njeh për pasojë as turqishten e kulturuar. Sidoqoftë edhe pse një botë e paintegruar vetiu, ose të paktën jo plotësisht, që kjo popullatë është pjesë – e madje e rëndësishme – e Gjermanisë së sotme është tashmë e gjithëpranuar dhe madje askush nuk habitet kur tabelat qytetëse në lagjet me më shumë banorë turq krahas gjermanishtes përmbajnë edhe përkthimin turqisht. Ndërsa elita e komunitetit ka krijuar edhe strukturat e veta paralele që ndërmjetësojnë mes shtetit gjerman dhe komunitetit: avokatë, financierë e burokratë turq, dhe gjinekologe turke.

Por përgjegjës për paralelizimin e turqve dhe turqizimin e tyre të mëtejshëm janë edhe prirjet e sotme ndërkombëtare të islamofobisë. “Pas 11 shtatorit ne turqit kemi marrë rolin e hebrenjve para luftës së dytë botërore” – thotë Gokçe Yurdakul, një sociologe turke e brezit të dytë. Ndërsa rëndom, debateve mbi shamitë, ferexhetë e burkat ekstreme në shkollë e në institucione publike, nostalgjikët e së kaluarës thonë shkurt e troç “para 11 shtatorit nuk kishim të tilla probleme, nuk ekzistonte fare çështja e shamisë, e megjithatë nëpër shkolla kishim plot nxënëse turke”.

Ballkanasit dhe italianët e stisur

Ndër aromat e një shëtitjeje rrugëve të Berlinit ndodh të zhytesh e të dalësh Ballkanit pa e pasur mendjen, jo vetëm për shkak të globalizimit pas-osman por për shkak të dyqaneve e gjellëtoreve të vetë ballkanasve që jetojnë e punojnë në Berlin. Kështu gjen lehtë një Burektore, ku shiten pljeskavica, e gjellë shqiptare të transkriptuara sipas rregullave të serbishtes, apo piceri italiane ku picaiolët e zeshkët gjermanishten e flasin me një ll të ujshme ballkanase që ua zhvlerëson etiketën edhe përpara gjermanëve më të pakulturuar. Por ballkanasit nuk takohen shpesh, popuj të vegjël të zhytur në një botë migrantësh ku mbizotëron nga ana kulturore Turqia me madhësinë e saj numerike e me distancën e madhe kulturore. Por edhe ballkanasit plotësojnë mozaikun gjuhësor të Berlinit shumë-kulturor me theksat e tyre të serbishtes së maleve apo hundoreve të kosovarëve.

Drejt Obamizimit

Kohë elektorale. Pak javë pas zgjedhjeve ende shihen pankartat e kandidatëve të partive, fytyra buzëqeshëse njerëzish në karrierë ku të shumtë janë të huajt, natyrisht në vend të parë turqit por edhe aziatikë të brezit të dytë. Ka vite që elita turke bën pjesë në vendimmarrjen gjermane. Pjesa më e madhe e emigrantëve që jetojnë në Gjermani marrin shtetësinë në vitin e tetë të qëndrimit të tyre. Pasaporta gjermane vjen me përpikëri në kohë. Por edhe në një vend që do të dukej ideal në sytë e një migranti nga Italia imperfekte, betejat nuk kanë sosur. Intelektualët turq synojnë të zvogëlojnë kohën e marrjes së shtetësisë, dhe lejimin e shtetësisë së dyfishtë të vendit të origjinës krahas asaj gjermane. “Përse të mos lehtësohen migrantët e suksesshëm e të mirintegruar?” titullonte para pak javësh prestigjiozja “Die Zeit”. Ndërkohë migrantët e natyralizuar janë në politikë e madje një turk ka arritur të jetë një prej kryetarëve të të Gjelbërve, parti kjo jashtëzakonisht e rëndësishme në Gjermani. Ndërsa politologët parashikojnë se nuk do të jetë e largët dita kur Obama i parë evropian do të dalë pikërisht nga komunitet migrante të asaj që quhet lokomotiva e Evropës. Dhe që është ndoshta pararojë e asaj që do të jetë nesër edhe Italia e letargjisë konservatore së sotme.

Marjola Rukaj

Bota shqiptare 224 – 15 nëntor 2009

Shqipëria dhe muri

Henri Ibi, shqiptari mes 25 nxënësve më të mirë në Itali