Nuk ka kaluar as një javë nga nisja e aplikimeve për pasaporta në Romë e Milano, dhe një bilanc i parë i mbarëvajtjes së procesit është pozitiv.
Aplikimet gjatë 5 ditëve të para janë mbi njëqind, dhe kanë shkuar mirë. Janë të shumtë shqiptarët që marrin takim përmes numrit të vënë në dispozicion nga ambasada, por akoma ka nga ata që paraqiten pa prenotuar. Që të gjithë mbarojnë punë, por nga konsullata këshillojnë që “të interesuarit bëjnë mirë të marrin takim pasi kështu nuk krijohen radhë dhe programohet më mirë fluksi i përditshëm”.
Sistemi i informatizuar i punës duket se i përgjigjet mirë fluksit të tanishëm. Me ndonjë përjashtim të rrallë, aplikimi zgjat rreth një çerek ore dhe me katër postacionet operative në punë, koha e pritjes nuk është shumë e gjatë.
Problemet? “Thuajse zero. – thonë në konsullatë për shqiptariiitalise.com – Përjashto rastin e ndonjë foshnje që mezi i bëjmë fotografinë. Apo të një personi që kishte mospërputhje të dhënash mes asaj çka kishte në dokument e asaj çka shkruhet në regjistrin elektronik. Por brenda pak minutash verifikuam të dhënat e sakta dhe vijuam punën. Por në përgjithësi jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e deritanishme”.
Është e këshillueshme që aplikantët të paraqiten në ambasadë pasi të kenë kryer pagesën bankare. “Në këtë mënyrë nuk humbasin kohë të vijnë këtu, të shkojnë në filialin e bankës Intesa Sanpaolo, dhe të rikthehen sërish në zyrën konsullore të ambasadës për aplikimin” thotë një punonjës i konsullatës.
red.