Kryeministri Berisha vlerëson zgjedhjet e 8 majit dhe deklaron se në Ditën e Europës shqiptarët votuan më europianë se kurrë në historinë e tyre. Për kreun e PS-së, zgjedhjet ishin më të mirat në ekran e më të shëmtuarit për njerëzit e thjeshtë”
Tiranë, 8 maj 2011 – Në daljen e tij të parë publike para medias pas mbylljes së qendrave të votimit, Kryeministri Berisha deklaroi nga selia e PD-së se “vendi përjetoi një proces zgjedhor të qetë, dinjitoz, të bazuar në ligjin e zgjedhjeve dhe me një pjesëmarrje të lartë”. Kryeministri Sali Berisha garantoi mbrëmjen e sotme, se Partia Demokratike dhe “Aleanca për qytetarin” është e vendosur të njohë, të vlerësojë dhe respektojë çdo votë dhe të pranojë çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve, ndërsa ftoi edhe kampin tjetër politik që të njohin çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve, të cilat sipas tij, janë faktuar si një proces tërësisht normal.
I pyetur mbi sondazhet e publikuara së fundi, Berisha tha se “në gjithë karrierën time politike nuk kam besuar kurrë që partitë mund të nxjerrin kandidatët e tyre humbës”. Nga ana tjetër, ai tha se sondazhi i institutit prestigjoz dhe të paanshëm të Qendrës Humanistike “Gani Bobi” nxjerr një diferencë të madhe mbi dyshifrore në favor të kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.
“Unë u besoj më tepër Exit-Poll-eve të syve dhe zemrës së zgjedhësve dhe në këtë histori Exit-Pollesh unë mbi të gjitha i besoj facebook-ut”, tha Berisha, ndërsa kërkoi që të pritet me besim të madh numërimi i çdo vote nga komisionerët në qendrat e numërimit, të cilëve u bëri thirrje që të harrojnë se përfaqësojnë forcat politike dhe të shndërrohen në përfaqësues të ligjit.
I pyetur mbi përqindjen e votuesve, Berisha tha se “në Tiranë ajo është më e lartë se zgjedhjet e tjera dhe kjo dëshmon se Tirana do ndryshimin”.
Për sa i përket deklaratës së Edi Ramës pas votimit të tij që mendohet se shkeli heshtjen zgjedhore, Berisha tha se ishte në tagrin e Lulzim Bashës të bënte një kujtesë për heshtjen zgjedhore, por ai zgjodhi të jetë tolerant.
Ndërsa kreu i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në bashkinë ë Tiranës, Edi Rama u shpreh në një deklaratë për mediat se “Këto zgjedhje do të marrin vlerësimin përfundimtar kur të përfundojnë në vulosjen e rezultatit, por që përsa i përket procesit kanë dhënë shembull dhe prova të një mospërputhje me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Gjithsesi Rama shtoi se deri tani nuk ka asnjë arsye për të mos e njohur rezultatin e zgjedhjeve. “Zgjedhjet,- tha Rama -ishin më të mira ne ekran, por më të shëmtuara ne realitet”
Sipas Ramës fitorja e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në Tiranë është e qartë dhe mbetet vetëm për t’u parë thellësia e saj.