in

Aurela Gaçe, sot në Eurovizion

Tiranë, 10 Maj 2011 – Nis sot gara e këngëve europiane në Duseldorf të Gjermanisë, ku Aurela Gaçe do të ngjitet e treta në skenë për të përfaqësuar Shqipërinë.
Në skenën e “Esprit Arena”, ajo do të interpretojë këngën “Feel the passion” të kompozuar nga Shpëtim Saraçi. Gaçe do të shoqërohet nga Emiliano Dhima në bateri dhe Bledar Sejko në kitarë.

Gjatë performancës së Shqipërisë nuk do të ketë koreografi por do të shfaqet në formë grafike shqiponja, shoqëruar me efekte zjarri dhe tymi, një koncept regjisorial ky i Albert Malltezit. Gaçe, ashtu si në videoklipin e këngës, do të ketë simbolin e shqiponjës edhe në veshjen e saj të stilistes Mirela Nurçe.

Në skenën e madhe të “Esprit Arena” do të oshtijë gjuha shqipe, pasi një pjesë e këngës do të këndohet në anglisht ndërsa refreni do të këndohet edhe në gjuhën origjinale, duke shtuar kështu emocionet për shqiptarët.

Pas shortit të hedhur që në janar Gaçe do të ngjitet në skenë natën e parë të festivalit ku do të konkurrojë me këngët e vendeve si Greqia, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Gjeorgjia, Rusia, Polonia, Serbia, Kroacia, Hungaria, Portugalia etj.

Shqiptarët jashtë Shqipërisë do të kenë mundësi të votojnë për këngën shqiptare, por ata brenda vendit jo. Më pas nga 43 shtete do të përzgjidhen vetëm 25 këngë për natën finale të datës 14 maj, të cilat do të konkurrojnë për çmimin e parë.

Festivali Europian i Këngës këtë vit zhvillon edicionin e tij të 56-të dhe Shqipëria  merr pjesë për të tetën herë.

http://www.youtube.com/watch?v=z4nb0Ja28Qg

Në Romë një kuvend për Zai Fundon

SHQIPËRIA VOTOI – Rezultatet në kohë reale