in

Pacolli për Oggi: “Kam dashur shumë Anna Oxa-n por …”

E përjavshmja italiane Oggi boton një intervistë ekskluzive me zëvendëskryeministrin e Kosovës, ish presidentin e saj per pak javë, ish të shoqin e Anna Oxa-s, sipërmarrësin Behgjet Pacollin.  Shkrimi mban titullin “In Kosovo, nella tana dorata di Pacolli”

Në një intervistë dhënë revistës së përjavshme OGGI, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ish-bashkëshorti i Anna Oxa, Behgjet Pacolli përgënjeshtron Ministrin italian të Mbrojtjes, Ignazio La Russa i cili përpara pak javësh deklaroi se së shpejti kontingjenti italian do të tërhiqet nga Kosova.

“Deri më sot nuk ka asgjë konkrete. Është fjala vetëm për propagandë mediatike” sqaron Pacolli i cili shton: ”Ushtarakët italianë këtu tek ne, janë si në shtëpinë e tyre”. Sipërmarrësi po përgatitet për një fushatë zgjedhore që mund ta çojë në postin e presidentit të Kosovës brenda vitit. “Në fillim të vitit isha president për 35 ditë, gjatë të cilave fillova reformën e ligjit zgjedhor për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të republikës”, rrëfen ai. Shqiptar, kozmopolit, autori i restaurimit të Kremlinit dhe në krye të një kompanie shumëkombëshe me vlerë prej 3 miliardë eurosh, në një intervistë ekskluzive për revistën Oggi, rrëfen një peng: “Në vitin 1997 isha në zyrë në Lugano me Anna Oxa. Erdhën disa djem që deshën të bisedonin me mua. Dukeshin si të pastrehë. Isha i zënë, i lashë të prisnin gjatë. Më kërkuan 10 milionë dollarë për një projekt në Internet. Nuk i kuptova dhe u thashë jo. Ishin themeluesit e Google”.

Pacolli është mik i Silvio Berlusconit, por e ka merak të theksojë ndryshimet që ka me të. “Unë frymëzohem nga Sarkozy. Pse? Sepse ai qeveris në mënyrë elegante”. Sipas tij,  kryeministri italian nuk ka të drejtë kur “sulmon magjistratët dhe gazetarët” dhe politikisht ka bërë disa hapa të gabuar. “Ka lënë pas dore ndonjë që nuk ka mbetur i kënaqur. Duhet të krijojë më shumë hapësirë rreth vetes për alternativa”, thotë për revistën Oggi. Në intervistën e gjatë, të realizuar nga pallatin e tij prej 7 mijë metrash katrorë në Prishtinë, Pacolli kujton edhe ish-bashkëshorten Anna Oxa. “E kam dashur shumë, por nuk është rastësi që nuk jemi më bashkë. Marrëdhënia jonë ishte totalizuese. Në periudhën e fundit me të, për herë të parë në jetën time, pata ndjesinë se nuk do t’ia dilja mbanë. Anna është një grua autoritare, gjë që mua s’më shkonte poshtë. Po nuk do ishte keq ta kishim presidente të Kosovës” tregon ai.

Më pas i bën thirrje ndërmarrjeve italiane: “Këtu ka shumë hapësirë për ato që duan të transferojnë prodhimin jashtë vendit. Do të krijojmë dy zona të lira nga taksat për dhjetë vjet. Do të jemi Kina e Europës” thotë Pacolli.

 

Elvira Dones, në Che tempo che fa, Rai3

Sonila Kaceli një shqiptare mes kandidatëve në zgjedhjet në Bologna