Tiranë, 31 maj 2011 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot me katër pro dhe 2 kundër kërkesën e PD-së për të hapur dhe rivlerësuar votat e kontestuara, që ndodhen në 26 kuti votimi dhe që i përkasin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë.
Pas shumë debateve dhe kundërshtimeve nga ana e përfaqësuesve të opozitës, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se “do të kemi mundësi t’i këqyrim këto vota, të hapim kutitë ku gjendet zarfi me votat e kontestuara dhe të bëjnë një vlerësim përfundimtar për to”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve të opozitës, të cilët kërkuan shpjegime se si ruhen dhe kush i administron këto kuti votimi.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i KQZ-së, Ristani, shpjegoi se kutitë janë dorëzuar nga KZAZ-të në KQZ dhe dorëzimi është bërë me procesverbale të rregullta.
Kështu sot KQZ hapi 11 kuti me fletë votimi të kontestuara nga 26 të tilla. Në to konstatoi 11 vota të vlefshme, ku 4 prej tyre i përkasin kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ndërsa 7 të tjera kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama. Ndërkohë, një nga kutitë e votimit nuk u mor në shqyrtim pasi nuk korrespondonte numri me librin e protokolleve. Ky proces u shoqërua me kundërshtimin e përfaqësuesve të opozitës, që e konsiderojnë atë të paligjshëm dhe në shkelje të kodit zgjedhor.
Procesi i rivlerësimit të votave do të vijojë nesër me procedurën e rivlerësimit të votave të kontestuara në mbledhjen e paradites.