in

Zgjedhjet administrative, shuplakë për mazhorancën

Romë, 31 maj 2011 – Italia u zgjua e majtë, një ditë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve vendore, ku votuan rreth 6 milionë italianë për administratat e 6 provincave dhe 88 komuna. Humbja në Milano dhe Napoli i vuri vulën disfatës së koalicionit të kryesuar nga kryeministri Silvio Berlusconi.

Kandidati i majtë Giuliano Pisapia i hoqi nga duart Milanon, kryeqendrën ekonomike të  vendit, kandidates së djathtë Letizia Moratti me 55,1% të votave. Vendlindja e kryeministrit dhe e djepi i partisë së tij, i kthyen krahët këtë herë. E kjo nuk interpretohet thjesht si humbje, por siç shprehen edhe gazetat më të mëdha të huaja, si një poshtërim i vërtetë. Prandaj ndoshta Berlusconi fton milanezët që t’i luten Zotit tani e tutje.

Ndërsa ish-prokurori Luigi De Magistris (Italia dei Valori) triumfoi me 65% mbi rivalin e tij të djathtë Gianni Lettieri, dhe Berlusconi thotë se napolitanët do të pendohen për atë që kanë bërë.

E ndër bastionet e të djathtës që ranë, përveç Milanos ku prej 18 vjetësh ka mbizotëruar e djathta, bien në sy Novara, Cagliari dhe Trieste.

Këto zgjedhje, ashtu siç pritej, patën një natyrë politike sepse ishin testi i parë i qeverisë pas skandaleve të shumta personale të kryeministrit dhe pas krisjeve në gjirin e shumicës. E rezultati është ai që e pranoi edhe vetë kryeministri i cili nga Rumania ku ndodhej për vizitë deklaroi: “Humbëm, është evidente. Por duhet t’i ruajnë nervat e qeta, qeveria do të vazhdojë punën. Për këtë kam edhe mbështetjen e Bossit”.

Por me sa duket rezultati i këtyre votimeve mund të prekë pikërisht aleancën Berlusconi-Bossi, një aleanca që ka kaluar periudha të trazuara, një aleancë e brishtë herë herë, por që mbetët shpresa e fundit e kryeministrit. E tani Lidhja e Veriut kërkon me forcë që koalicioni në pushtet të reagojë menjëherë. Sipas tyre humbja është përgjegjësi i PDL-es.

Po të bazohesh në fjalët e kryeministrit, i cili sot duhet të ishte në gjykatë për procesin Ruby, i akuzuar për nxitje të prostitucionit të të miturve,  janë të shumtë ata që do të pendohen e të shumtë ata që do t’i drejtohen Zotit për të gjetur shpëtim. Por ndërkohë mijëra italianë u zgjuan sot me fytyrë të ndërruar, pas një nate të gjatë festimesh e me muskujt e fytyrës të lodhur vetëm prej buzëqeshjes.

 

Irida Cami

Shqiptarët, të dytët në Evropë për pirjen e duhanit. Pas turqve

KQZ rinis të numërojë votat e kontestuara