Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të procesin e nisur dje të numërimit të të gjitha kutive me vota të kontestuara (26), që i përkisnin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë, ku në total rezultuan 13 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, kundrejt 16 votave për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Procedura e rivlerësimit nga KQZ e votave të kontestuara nisi dje pas miratimit të kërkesës ankimore të PD-së për hapjen e 26 kutive për kryetarin e bashkisë Tiranë, që i përkisnin KZAZ-ve nr. 47, 49, 52 dhe 53, ku kërkohej rinumërimi i këtyre votave.
Nesër, në mbledhjen e radhës, pritet që KQZ të diskutojë lidhur me vendimmarrjen për këto vota të kontestuara, nëse edhe këto do të përfshihen në tabelën e rezultateve përmbledhëse për kryetarin e bashkisë Tiranë.