Brenda pak orësh episodi i tmerrshëm i rrëmbimit dhe dhunës së padëgjuar mbi Griselda Rroshin, u zbardh, duke zbuluar një prapaskenë akoma më të habitshme. Për fat të mirë episodi nuk ka pasur viktimë një foshnjë, e cila me sa deklarojnë forcat e rendit nuk ka ekzistuar kurrë. Meqenëse në këtë histori imagjinata e kapërcen realitetin, po shpjegojmë se si kanë rrjedhur ngjarjet vetëm nëpërmjet komunikatave zyrtare të palëve.
Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pas hetimeve për verifikimin e rrethanave të ngjarjes që shokoi Shqipërinë në mbrëmjen e 1 qershorit, bëri të ditur së deri tani nuk ka elementë në mbështetje të padisë së paraqitur nga të afërmit e Griselda Rroshit. Ja çfarë ka deklaruar sot prokuroria për Krimet e Rënda:
“Ditën e djeshme, rreth orës 10.00’, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është paraqitur shtetasi Saimir Azem Rroshi, 36 vjeç, i cili ka depozituar kallëzim penal se kunata e tij (nusja e vëllait të tij Elvis Rroshi), shtetasja Griselda Zaimi, është rrëmbyer nga disa persona të paidentifikuar, në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë.
Po ashtu, Saimir Rroshi, gjatë deklarimit të tij në Polici, citon se – Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj dhe më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Rreth orës 04.00’, të datës 01 Qershor 2011, kjo shtetase është lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer, pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës.
Menjëherë nga strukturat e Policisë së Tiranës, paralelisht janë formuar dy grupe hetimore, me synim kryerjen në kohë dhe me cilësinë të të gjitha veprimeve hetimore, ku fillimisht grupi i parë, ka kryer veprime hetimore në Kavajë dhe grupi i dytë ka kryer veprime hetimore në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nga ku janë kryer këto veprime hetimore:
Janë identifikuar dhe pyetur personat që janë takuar me shtetasen Griselda Zaimi, ku nga deklarimi i shoqes së saj, me iniciale J.T, tregon se – ka pirë kafe me Griseldën tek mjediset e lokalit të Qendrës Kristal (në pronësi të bashkëjetuesit të saj), ku kanë qëndruar deri rreth orës 19.00’. Më pas këto shtetase kanë dalë nga kjo qendër dhe përpara saj, Griselda ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes që do të shkonte në shtëpi. Shtetasja J.T deklaron se – Griselda dukej shtatzënë pranë muajit të lindjes.
Është identifikuar dhe marrë në pyetje shoferi i taksisë me iniciale A.C, nga ku ka rezultuar se, ka marrë shtetasen Griselda Zajmi, që në dukje ishte shtatzënë, pranë Qendrës Kristal dhe nga aty ka ndaluar tek një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka dhe më pas sipas kërkesës së Griseldës e ka dërguar këtë të fundit, tek Hotel Broadway, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar.
Janë identifikuar dhe marrë në pyetje punonjësit e Hotelit Broadway, që kanë kontaktuar me shtetasen Griselda Zajmi, nga ku rezulton se deklarimi i shtetases me iniciale G.H, e cila citon se: Griselda është paraqitur në hotel e vetme, rreth orës 19.30’, ka prenotuar një dhomë duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë në dhomë. Kjo shtetase deklaron se shtetasja Griselda Zajmi në dukje ishte shtatzënë.
Deklarim i shtetasit me iniciale A.M, që punon në këtë hotel, rezulton se Griselda ka qëndruar e vetme në dhomë, gjatë kësaj periudhe nuk ka hyrë asnjë person në hotel apo dhomën e saj. Në orën 01.50’ shtetasja Griselda Zajmi, ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht, ai shton se – kjo shtetase nuk dukej shtatzënë.
Është identifikuar dhe pyetur shtetasi me iniciale B.K, shofer taksie që ka marrë Griseldën në hotel nga ku rezulton se nga hoteli e ka dërguar atë, tek klinika mjekësore Ikeida dhe pasi e ka lënë aty, shoferi është larguar.
Janë identifikar dhe pyetur mjeku dhe punonjësi i klinikës Ikeda dhe konkretisht shtetasi me iniciale L.G (mjek), i cili ka cituar se – Griselda është paraqitur në këtë klinikë rreth orës 02.10’ dhe ankohej për të vjella dhe diarre. Është bërë menjëherë terapia e kësaj shtetase nga ana e stafit mjekësor duke e trajtuar me serum. Nga ku ky i fundit deklaron se kjo shtetase në dukje nuk ishte shtatzënë dhe nuk patur ankesa në lidhje me shtatzëninë. Kjo shtetase, ka qëndruar në këtë klinikë deri rreth orës 03.20 dhe më pas është larguar me taksi.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjitha pamjet filmike të regjistruara tek qendra Kristal si dhe i çdo ambienti tjetër biznesi i pajisur me kamera përgjatë rrugës “Komunna e Parisit”.
Për sa më sipër është bërë ekzaminimi mjeko ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminim Gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë.
Në sajë të veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bien poshtë pretendimet e shtetases Griselda Zajmi mbi rrëmbimin e saj dhe lindjen e detyrueshme e më pas marrjes peng të fëmijës së sapolindur”.
Pasi Griselda Rroshi pranoi që gjithçka e kishte sajuar, prokuroria dhe policia bënë të ditur se tani do të hetohet pikërisht për të zbuluar arsyet e këtij veprimi të gruas së re. Në mbrëmje kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, shpërndau një deklaratë me të cilën kërkon ndjesë për ç’ka ndodhur.