Do të kontrollohen dhe numërohen të gjitha fletët që mund të jenë futur në kutitë e gabuara
Tirane, 13 qershor 2011 – Kolegji zgjedhor pranon pjesërisht kërkesë animimin e PS-së dhe urdhëron KQZ-në të numërojë të gjitha fletët e hedhura në kutitë e gabuara në të gjitha qendrat e votimit të Tiranës. Praktikisht procedura e numërimit e fletëve të futura në 117 kutitë e gabuara që u bë në KQZ duhet të vazhdojë edhe me të gjitha kutitë e tjera. Duke pasur parasysh që qendrat e votimit në Tiranë ishin 485, kanë mbetur më shumë se 350 qendra votimi, secila me nga katër kuti (një për kryetarin e bashkisë, një për këshillin bashkiak, një për kryetarin e minibashkisë dhe një për këshillin e minibashkisë), që mbeten për t’u kontrolluar nëse kanë fletë të futura në kutitë jo-përkatëse. Ky vendim duket se shtyn akoma për shumë kohë përcaktimin e fituesit të postit të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit.
Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë pjesën tjetër të kërkesë padisë së PS-së që kishte të bënte me mospërputhjen e shifrave mes fletëve të votimit dhe votuesve.