in

RAMA apo BASHA{br}Kolegji rihap garën për Tiranën

Kolegji Zgjedhor vendosi që të kontrollohen dhe të numërohen të gjitha fletët e kontestuara në të gjitha qendrat e votimit të Tiranës

Romë, 14 qershor 2011 – Pesë javë nga zgjedhjet e 8 majit Tirana ende nuk ka një kryebashkiak. Madje nga 13 qershori sfida mes Edi Ramës, kryetar i PS-së dhe Lulzim Bashës, kandidatit të PD-së, është rihapur. Të hënën, pak para mesnatës, Kolegji Zgjedhor pas disa orëve mbledhje dha vendimin e tij: të hapen të gjitha kutitë në kërkim të fletëve të hedhura gabimisht. Të numërohen të gjitha, t’u shtohen tabelave përmbyllëse të KZAZ-ve dhe të nxirret kush është kështu kush është fituesi i postit të kryebashkiakut të Tiranës. Praktikisht, Këshilli ka hedhur poshtë vendimet e KQZ-së që shpallnin fitues Lulzim Bashën, dhe e detyrojnë të rinisë numërimin e fletëve të përfunduara në kutitë e gabuara.

Reality Show i KQZ-së (që për dy javë ndoqëm drejtpërsëdrejti në televizion) duket se do të rinisë shpejt e ndoshta do të vazhdojë për javë me radhë. Me kërkesë të PD-së KQZ hapi, numëroi dhe korrigjoi tabelat përmbledhëse të 117 kutive ku kishte fletë të kontestuara, të pavlefshme dhe “të panumëruar”, sipas idiomës më të re të përdorur nga Ristani, kryetari i komisionit. Duke pasur parasysh që qendrat e votimit në Tiranë ishin 485, duke konsideruar që nga 117 prej tyre janë rinumëruar fletët e votimit me probleme, KQZ-së i kanë mbetur 368 qendra votimi për të kontrolluar. Po të mbajmë parasysh që secila qendër ka katër kuti, një për kryetarin e bashkisë, një për këshillin bashkiak, një për kryetarin e minibashkisë dhe një për këshillin e minibashkisë, numri i përgjithshëm i tyre shkon në rreth 1500, gjë që do të thotë se spektakli do të jetë i gjatë ndërsa Tirana do të mbetet pa kryebashkiak akoma për ca javë.

Kush do të dalë fitues? Askush nuk mund ta thotë. Numërimi i parë i fletëve nxori fitues Ramën me vetëm 10 vota mbi Bashën. Rinumërimi në KQZ i 117 kutive, përmbysi rezultatin me 81 vota në favor të Bashës. Me një garë kaq të ngushtë, nga hapja e rreth 1.500 kutive të tjera mund të presësh çdo gjë. E rëndësishme do të jetë që të gjitha palët të njohin rezultatin final dhe të mbyllet kapitulli i zgjedhjeve të kryeqytetit.

ke.bi.

Rihapet gara për Tiranën

Me ç’dokumente italiane mund të lëvizet në Europë