Nga Tim Judah, Tiranë
Kur një zyrtari të lartë të Bashkimit Evropian para pak kohesh, i thashë që do të shkoja në Shqipëri, ai më pëshpëriti diçka që unë nuk mund të përsëris këtu dhe u çua e iku, i bezdisur mbase edhe nga veç përmendja e emrit të vendit. Mund ta merrni me mend pse. Më 8 maj Shqipëria votoi për zgjedhjet bashkiake. Më se një muaj më vonë ende nuk e dimë kush është kryebashkiaku i Tiranës. Nëse shqiptarët nuk mund të mbajnë as një palë zgjedhje lokale pa rrezikuar përçarje të dhunshme, mendo Eurokratët, shqiptaret s’kanë si presin ndonjë dashuri nga Brukseli.
Edith Harxhi, zëvendësministre e Jashtme e Shqipërisë, pajtohet me mua. “Më dëshpëron jashtë mase”, thotë ajo. “Zgjedhjet ishin më të mirat që kemi pasur deri më tani, dhe ka pasur vetëm probleme të vogla” (opozita socialiste nuk do të pajtohej me këtë vlerësim optimist të situatës). Si pasojë, thotë zonja Harxhi, është se “proceset integruese në BE janë ndalur tani për tani”.
Janjë përmbledhje e thjeshtuar e asaj që ndodhi në Tiranë. Njerëzit në kryeqytetin shqiptar votuan për katër zgjedhje të veçanta: kryetari i bashkisë të qytetit, Këshilli i qytetit, dhe të njëjtën gjë për minibashkinë. Edi Rama, kreu i socialistëve, ka qenë kryebashkiak i Tiranës që nga viti 2000 dhe kërkonte rizgjedhjen për postin e kryetarit të qytetit.
Ndërsa numërimi iu afrua fundit, u bë e qartë se rezultati ishte tejet ngushtë. Në fund z. Rama doli dhjetë vota përpara rivalit të tij, Lulzim Basha, kandidat i Partisë Demokratike në pushtet.
Demokratët thanë se disa fletë për votimin për kryetarin e bashkisë qenë hedhur në kutinë e gabuar; në qoftë se ato vota ishin të numëruara, thanë ata, njeriu i tyre do të kishte fituar me 81 vota. Rregullat dukeshin të paqarta. Numëruesve të votave u ishte thënë të mos numëronin fletët e hedhura në kutitë e gabuara, por nuk ka rregulla në kodin zgjedhor që mbulon të tilla raste. Megjithatë, autoritetet zgjedhore nxorën zotin Basha fitues.
Socialistët apeluan në Kolegjin Zgjedhor, gjykata më e lartë mbi zgjedhjet në Shqipëri. Kërkesë-padia e tyre e parë u hodh poshtë, por natën e kaluar një tjetër kërkesë padi e tyre pati, pjesërisht, sukses. Ata u ankimuan se autoritetet zgjedhore ndryshuan rregullat e gjatë numërimit, dhe se nxorën më shumë vota në disa kuti nga ç’pati votues.
Aldo Bumçi, një nga krerët e Partisë Demokratike, i përshkruan manovrat socialiste si “manipulim artificial”. Nëse gjykata vendos në favor të z. Rama, thotë zoti Bumçi, “ne do ta pranojmë vendimin”, por ai thotë se partia e tij përndryshe nuk do t’ia njohw fitoren e Ramws. “Ne duam që të numërohet çdo votë, ndërsa zoti Rama jo. Ky është dallimi mes nesh”.
Z. Rama, nga ana e tij, mendon se demokratët po vazhdojnë zanatin e vjedhjes se votave si në zgjedhjet parlamentare 2009. “Është grabitje ditën me diell” thotë ai. Shqipëria është në ngërç për shkak se “nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Siç tregojnë votimet në Tiranë, shqiptarët janë të ndarë më dysh mbi çështjen. Kushdo që do të bëhet kryetar i bashkisë së Tiranës do të shihet si i paligjshëm nga gjysma e qytetit. Dhe amullia e Shqipërisë do të vazhdojë.