Tiranë, 23 qershor 2011
Ora 10.00 – KQZ: Procesi i numërimit drejt mbylljes, në avantazh Basha me 76 vota
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të mërkurën në mbrëmje hapjen e kutive të votimit dhe numërimin e votave të kontestuara të njësive bashkiake nr. 8, 9 dhe 10 për zgjedhjet vendore për bashkinë Tiranë. Lulzim Basha vazhdon të jetë në avantazh mbi Edi Ramën, deri tani, me 76 vota.
Ky proces gjatë këtyre ditëve është karakterizuar nga debate të ashpra mes përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të së djathtës në këtë institucion. Replikat më të ashpra kanë qenë për 4 kuti, të cilat rezultonin të thyera. Sipas administratës së KQZ-së, thyerja ka ndodhur në ambientet e këtij institucioni dhe se nuk e kishte konstatuar.
Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ filloi të shtunën (18 qershor) procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë.
Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.
Sot pritet që KQZ-ja të përfundojë procesin e numërimit të fletëve të kontestuara me njësinë e fundit bashkiake, atë me nr.11.
Tiranë, 20 qershor 2011
Ora 23.00 – Pas hapjes së kutive të 5 njësive të para të Tiranës, Basha vazhdon të kryesojë
KQZ ka përfunduar sot numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara të njësive bashkiake 4 dhe 5 të Tiranës. Paradite u hapën dhe u numëruan fletët e njësisë 4, dhe nga hapja e tyre iu shtuan të dy kandidatëve për kryetar bashkie, nga 53 vota. Pasdite u hapën kutitë e njësisë nr. 5 ku u gjetën veëm 7 vota për Bashën dhe 3 për Ramën. Deri tani Basha kryeson mbi Ramën me 82 vota.
Dita e sotme është karakterizuar nga debate të ashpra mes palëve. Kryetari i KQZ-së, Ristani ka përzënë dy vëzhgues të PS-së.
Do të vijohet nesër me dy njësi të tjera.
Ora 11.00 – KQZ vazhdon sot numërimin me njësinë nr. 4 të Tiranës
Komisioni Qendror Zgjedhor do të hapë sot kutitë e 43 qendrave të votimit të njësisë nr 4, për të numëruar të gjitha fletët që nuk u përkasin kutive.
Sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit, po hapen në KQZ 1793 kuti për të rinumëruar fletët e që nuk u përkasin atyre (pra fletët e hedhura në kutitë e gabuara). Ky proces ka nisur të shtunën pasdite e deri tani janë hapur të gjitha kutitë e tre njësive të para.
Nga 156 kutitë e njësisë nr. 1 të hapura të shtunën, u gjetën 28 vota në favor të Bashës dhe 26 në favor të Ramës.
Nga 201 kutitë e njësisë nr. 2 e hapura të dielën paradite, iu shtuan 21 vota Bashës dhe 12 Ramës. Ndërsa nga 117 kutitë e kontrolluara të njësisë nr. 3 u gjetën 36 vota për Edi Ramën dhe 20 për Lulzim Bashën.
Deri tani rezulton fitues kandidati i PD-së me 76 vota më shumë se kandidati i PS-së, kryebashkiaku i deritanishëm i Tiranës Edi Rama. Mbeten ende për t’u hapur mbi 1.300 kuti votimi.
Tiranë, 19 qershor 2011
Ora 20.30 – Basha kryeson me 76 vota
Sot pasdite, KQZ ka përfunduar numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara të njësisë nr. 3. Nga hapja e 117 kutive të kësaj njësie, kanë rezultuar 36 vota në favor të Ramës dhe 20 në favor të Bashës, duke e reduktuar kështu diferencën në 76, gjithnjë në favor të Bashës.
Do të vijohet nesër paradite me hapjen e kutive të njësisë bashkiake nr. 4.
Nga dje pasdite, kur ka nisur numërimi i votave që nuk u përkasin kutive që hapen, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit, janë hapur të gjitha kutitë e tre njësive të para Bashkiake. Edhe pse konsiderojmë gjithnjë diferencën e votave mes Ramës dhe Bashës për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, duhet mbajtur parasysh se po ndryshohen tabelat përmbledhëse edhe për këshilltarët bashkiakë, për kryetarët e minibashkive dhe këshilltarëve të minibashkive.
Me tetë grupe numërimi dhe me ritmet e djeshme dhe të sotme, procesi duhet të përfundojë brenda javës së ardhshme.
Ora 16.00 – KQZ: Basha, 92 vota më shumë se Rama
KQZ vijoi sot me njësinë nr. 2 të Tiranës duke hapur e numëruar fletët e votimit që nuk u përkisnin atyre kutive. Procesi është ndërprerë në orën 14 dhe do të rinisë rreth orës 18.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kish nisur dje rreth orës 17:30 procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 365 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit. Rreth orës 22:30, ky institucion i dha fund procesit të numërimit të votave të njësisë bashkiake nr. 1, ku nga hapja e 156 kutive të votimit rezultuan 28 vota në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 26 për rivalin e tij socialist, Edi Rama, duke e çuar në 83 vota epërsinë e tij mbi Ramën.
Nga numërimi i sotëm i kutive të njësisë nr. 2, Basha ka marrë 21 vota ndërsa Rama vetëm 12, gjë që deri tani e ka çuar në 92, epërsinë e kandidatit demokrat mbi kandidatin socialist.
Tiranë, 18 qershor 2011 – Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 Qershorit, KQZ do të kryejë rivlerësimin për votat e panumëruara, sepse të futura në kutitë e gabuara, për 368 qendra votimi në kryeqytet, secila me nga katër kuti. Praktikisht KQZ do të kryejë procesin e numërimit dhe të rivlerësimit të fletëve të votimit të kontestuara për 1793 kuti nga 1940 dhe në përfundim do të miratojë tabelën përfundimtare dhe mbi bazën e tyre do të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për Bashkinë e Tiranës.
Deri tani, kandidati i mazhorancës për kryetar Bashkie, Lulzim Basha, kryeson me 28 vota ndërsa ai i opozitës, Edi Rama, ka marrë 26 vota. Ndërsa në total kandidati Basha është në avantazh me 83 vota.
Sot paradite, komisioni miratoi në tërësi me 4 vota pro dhe 2 kundër aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në qendrat e votimit të bashkisë Tiranë, një proces që ka nisur sot pasdite.
Në mbledhjen e nisur në orën 10:00 të paradites së sotme, pas debateve të zgjatura, palët ranë dakord për procedurat që do të ndjekë KQZ në procesin e vlerësimit të votave të kontestuara, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit.
Sipas këtij vendimi, KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë përkatëse të tsë njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, ka ngritur tetë grupe numërimi në ndihmë të Komisionit. Akti parashikon që pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues, i cili në rast se vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive ia bën të ditura KQZ-së.
Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së hap të katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar kërkohen në zarfin e fletëve të kontestuara në secilën kuti, numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit, dhe para se të hidhen në tabelë i njoftohen KQZ-së, për t’i pasqyruar në tabelë.
Numërimi ka filluar pasdite në sallën e mbledhjeve të KQZ-së me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 45, për të vijuar më pas me kutitë e KZAZ-ve të tjera sipas rendit rritës.
Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë përkatëse të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën përfundimtare dhe mbi bazën e tyre do të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.
Lexo Vendimin e Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit