in

Fondi Saudit financon me 25 milionë dollarë rrugën Tiranë-Elbasan

Fondi Saudit për Zhvillim miratoi kredinë prej rreth 25 milionë USD për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan, me normë interesi 2% dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë

Tiranë, 24 qershor 2011 – Sot, Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, gjatë një takimi që pati me Ministrin e Financave, Ridvan Bode, ka konfirmuar miratimin zyrtar të kredisë nga Fondi Saudit për Zhvillim për rrugën Tiranë-Elbasan.

Sipas ATSh-së, kredia ka një normë interesi 2% dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë. 
Punimet për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, nisën në fund të muajit prill të këtij viti. Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare e që priten të arrihen brenda 2 vitesh.

Një tjetër impakt i pritshëm nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan është ndikimi për zhvillimin sa më të shpejtë të parkut industrial. Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Por kjo rrugë ka vlerë jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut. 
Autostrada Tiranë – Elbasan do të ketë një gjatësi prej 31,17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me 21 viadukte, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. 

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2,4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos. 

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë. Në tenderin për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, zhvilluar në muajin mars, paraqitën ofertat ekonomike 7 kompani. Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike.      
Agjencia e Prokurimit Publik shpalli kompaninë greke “Aktor” fituese për ndërtimin e tunelit.

Amnistia e kontributeve shoqërore, përfitim për personat e bizneset

Ndalohet në portin e Durrësit i dënuari me 16 vjet burg për prostitucion