in

KQZ jep sërish verdiktin: Është Basha fituesi i Tiranës

Lulzim Xhelal Basha 125.042 vota, Edi Kristaq Rama 124.949 vota, Hysni Jashar Milloshi 1.398 vota. Ky është rezultati me të cilin të shtunën, më 25 qershor, KQZ mbylli rinumërimin që iu kërkua nga Kolegji Zgjedhor.

Seanca e fundit e KQZ-së e cila zgjati mbi katër orë u karakterizua nga debati mes përfaqësuesve të PD-së dhe përfaqësuesve të PS-së. Të parët që u shprehën të gjithë pro veprimeve të deritanishme të komisionit, ndërsa të tjerët vunë në dukje një sërë problemesh si hapja e kutive të thyera, gjetja e fletëve të votimit të një zone në kutitë e një zone tjetër, mungesa e kodit të pestë të kutive, që sipas tyre, e bëjnë të pavlefshëm këtë proces, aq sa nënkryetarja e KQZ-së kërkoi rinumërimin nga e para të të gjitha votave për Tiranën. Natyrisht kjo kërkesë as që u mor në konsideratë.

Pas miratimit në parim me vetëm 4 vota, siç jemi mësuar tashmë, të projekt aktit për hartimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e bashkisë së Tiranës të ndryshuar me numërimin e votave të hedhura gabim në 1793 kuti votimi të 11 njësive bashkiake në Tiranë, rreth orës 22.00 komisioni dha tabelën përmbledhëse për kryetarin e bashkisë së Tiranës, që nxjerr fitues Lulzim Bashën.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Basha ka dalë në një konferencë për shtyp dhe u shpreh se është “i prekur dhe i mrekulluar” nga mbështetja e qytetarëve, por edhe “më optimist se kurrë për të ardhmen e Tiranës”.

“Së shpejti, procesi zgjedhor do të mbarojë dhe sakaq do të nisë menjëherë koha dhe beteja e vërtetë, për qeverisjen e qytetit. Ky do të jetë angazhimi im i vetëm. Të përvesh mëngët dhe të nis së bashku me ju punën e madhe që na pret, sepse “Ju jeni të parët, Tirana është e para”, nuk ishte dhe nuk është një slogan, por një bindje dhe një program i madh pune dhe djerse”, premtoi sërish.

Ndërsa duke folur për rivalin e tij tha: “Unë besoj se zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar, ndryshe mendon z.Rama. Ne nuk mund të biem dakord për cdo gjë, por të gjithë ne duhet të pranojmë vendimet e institucioneve të pavarura, dhe Kolegji Zgjedhor foli qartë kur tha se çdo votë duhet numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por tanimë, në vend që të pranojë se donte të ndrynte zërat e qytetarëve, z. Rama ka zgjedhur të lëshojë akuzat më absurde dhe false, në një rrekje të fundit për të nxirë një proces që të gjithë qytetarët e panë të shpalosej drejtpërsëdrejti në ekranet e tyre”.

Njoftimi i plotë për shtyp i KQZ-së me rezultatin përfundimtar

Vula apostile zëvendëson legalizimin e dokumenteve në konsullata

100 vitet e problemit çam