Nga Armand Shkullaku
Në barin e Dardan Islamit në Drimadhes janë të shumtë ata që diskutojnë nëse pushimet në jug të Shqipërisë janë zgjedhja e duhur. Ata nga Tirana, por edhe ata nga Prishtina thonë se nga viti në vit jugu po ndryshon për keq. Të parët, nostalgjikë për vitet e dikurshme, ndihen të çorientuar nga kaosi i ndërtimeve dhe makinat e shumta që parkohen deri në breg të detit. Për të dytët, zbulimi i ujrave të tejdukshme të Dhërmiut, emocioni i turizmit “kuq e zi” dhe entusiazmi i rrugës së re që mbizotëronin deri dje ndaj pakënaqësive të rastit, sot ia ka lënë vendin mendimit se kjo pjesë e Shqipërisë nuk ofron një raport të drejtë cilësi-çmim. Jugu është i shtrenjtë, me shërbim të dobët, kushte mesatare pushimi, infrastrukturë kaotike dhe në rrezik degradimi të mëtejshëm nëse nuk vihet dorë. Debati rreth një shkrimi të fundit të New York Times për jugun dhe asaj që secili përjeton atje, çon tek pyetja se a ia vlen ende të kalohen pushimet në Shqipëri? A mjafton ekzotizmi dhe pastërtia e ujit për të pushuar pas një viti punë?
Kohët e fundit turizmi shqiptar është rikthyer në vëmendjen e mediave botërore. New York Times, Financial Times, The Guardian, guida e famshme Lonely Planet dhe shumë portale të rëndësishme, po e paraqesin Shqipërinë si një nga vendet më tërheqëse për turizëm. Ushqimi, mikëpritja, ujërat e Jonit, çmimet e arsyeshme dhe pozita gjeografike janë disa prej elementëve që përbëjnë atraksionin shqiptar. Në udhëtimin e shkurtër nëpër Shqipëri, një gazetar i huaj vërtet që mund t’ia kalojë mirë veçanërisht nëse ka gjetur edhe shoqëruesin e duhur lokal. Ai mund të shijojë kënaqësitë e një turi bregdetar, të provojë peshkun e freskët, të kthejë ndonjë gotë tek Havana apo Lolly Pop apo të habitet duke parë një gomar të vërtetë që shërben ende si mjet transporti. Këta elementë i bëjnë rrëfimet për bregdetin shqiptar tërheqëse dhe ekzotike: një vend i vrigjër dhe kaq afër për t’u vizituar. Por ama gjithçka mbyllet këtu.
Në pamje të parë një paraqitje e tillë e turizmit shqiptar është pozitive. Është një reklamë e mirë falas për një vend që krizat politike i janë shndërruar në menstruacione. Shqipëria ka nevojë të prodhojë diçka të mirë dhe këtë mundësi po ia jep natyra dhe pozita e saj gjeografike. Por ky reklamim thuajse sipërfaqësor i mediave të mëdha botërore për turizmin shqiptar ka dhe anën e tij negative. Së pari ai po u shërben autoriteteve për të mbuluar punën e dobët në turizëm. Reportazhet e gazetarëve të huaj po përdoren si dëshmi të Shqipërisë që ka ndryshuar, ndërkohë që gjendja e bregdetit (flasim për jugun se Durrësi nuk ka më shpresë) po shkon drejt rrënimit: betonizim dhe ndërtime pa rregull, ndotje e ujrave, tonelata mbeturina, godina të ish kampeve socialiste të mbetura si fantazma, shërbime sociale thuajse inekzistente. Qeveria mburret për rrugët, por ndërkohë nuk ka bërë thuajse asgjë për të rritur cilësinë e pushimit në jug të vendit. Së dyti, duke përballur ndikimin e këtyre mediave dhe guidave prestigjoze në orientimin e turistëve dhe mundësitë reale që ka Shqipëria, turizmi shqiptar mund të rezultojë një zhgënjim. Në reportazhet e shtypit të huaj flitet për plazhin e Gjipesë por nuk thuhet se në Shqipëri nuk gjenden hotele apo resorte të kapaciteteve të nevojshme për të përballuar një fluks të madh turisitik. Se shërbimet e domosdoshme, duke filluar nga ai mjeksor e deri tek ato argëtuese, po ndikojnë dita- ditës që turizmi të shkojë drejt atij ditor dhe jo javor apo më gjatë.
Mbi të gjitha, gazetarët e huaj, të befasuar nga një vend që e zbulojnë për herë të parë dhe të kufizuar në kohë, nuk arrijnë në brendësi të problemit kryesor të turizmit shqiptar. Niveli i dobët dhe kultura mediokre e operatorëve turistikë të jugut së bashku me indiferencën e qeverisë po e kthen në zhgënjim rrëfimin për bregdetin magjik të Jonit. Kushtet e hoteleve në jug janë tepër larg nga standarti i çmimeve që ofrojnë. Ushqimi, me përjashtime të rralla, është i keq dhe i shtrenjtë në mënyrë të paarsyeshme. Shërbimi, të cilin e kënë vuajtur të gjithë ata që për të porositur një kafe kanë provuar limitet e durimit të tyre, është i aftë që në disa orë t’i shndërrojë pushimet në zborr. Të shtyrë vetëm nga fitimi dhe pa ndonjë strategji për ta zhvilluar e shtrirë në kohë biznesin e tyre, tregtarët dhe biznesmenët atje kërkojnë që në dy muaj të fitojnë sa për 1 vit. Ata kënaqen kur klienti nuk e kupton që peshku nuk është i freskët, që mjalti është i përzierë me sheqer apo pijet janë fallco, duke mos kuptuar që duke abuzuar me besimin e njerëzve po sharrojnë degën ku qëndrojnë vetë. Në 20 vitet e fundit, investimet serioze në jug të vendit mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Madje dhe ato më të thjeshtat, që na bëjnë përshtypje kur udhëtojmë jashtë, ku një shtëpi, një fermë apo një kantinë prodhojnë vajin e vet, verën, mjaltin, djathin, etj. Jo, në jug të Shqipërisë gjen vetëm tezga të dyshimta dhe spekulantë që mezi presin të ta hedhin. Ky është në fakt realiteti i rivierës shqiptare sot, produkt i impotencës së shtetit dhe injorancës së individit.
Nëse nuk bëhet një plan kombëtar për ta shpëtuar ende sa ka kohë pjesën më të bukur të natyrës shqiptare, shkrimet e New York Times dhe këshillat e Lonely Planet do të mbeten një reklamë për një produkt kallp që do t’i zhgënjejë edhe turistët e huaj. Sa për ata shqiptarë, jugu është kthyer më shumë në inerci se sa në kënaqësi të vërtetë. Tek bari i Dardanit diskutimet do të vazhdojnë edhe këtë verë…