in

Zgjedhjet. Mbyllet më në fund edhe beteja për Tiranën

Brenda 28 korrikut mblidhet Këshilli i ri

Tiranë 17 korrik 2011 – Pas vendimit për njohjen e Lulzim Bashës si kryetar bashkie i Tiranës, vendimi i Kolegjit Zgjedhor i datës 15 korrik, për shpërndarjen e 55 mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës mbyll betejën gjyqësore të procesit zgjedhor të 8 majit, duke i hapur rrugën edhe ngritjes së  Këshillit. Pas rreth 9 javësh nga data e zgjedhjeve më në fund edhe Tirana ka kryetarin e këshillin e saj të ri bashkiak.

Ndarja e vendeve të Këshillit Bashkiak përfundoi në Kolegj pasi siç pritej, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të sigurojë një vendimmarrje me 5 vota, siç parashikohej në ligj. Në Këshillin e ri bashkiak, Partia Demokratike do të ketë 28 vende, ndërsa koalicioni i së majtës, 27 vende.

Gjithnjë më 15 korrik, Lulzim Basha mbylli dhe një procedurë tjetër drejt postit të kryebashkiakut të Tiranës, pasi Gjykata i vërtetoi atij mandatin.

Ditët e ardhshme pritet përfundimi i procedurave të tjera që lidhen me ngritjen e Këshillit Bashkiak, betimin e anëtarëve të tij dhe të Lulzim Bashës si kryetar i ri i bashkisë së kryeqytetit për një mandat katërvjeçar.

“Këshilli bashkiak e zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit komunal ose bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti. Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë të drejtë brenda afatit të parashikuar, atëhere këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve”, thuhet në pikat 1 dhe 2 të nenit 26 të ligjit “Për pushtetin vendor”. Kështu që duke qenë se Kolegji Zgjedhor e dha vendimin për Tiranën më 8 korrik, mbledhja e parë duhet të thirret brenda datës 28 korrik.

Sipas ligjit të mësipërm, mbledhja e parë, e drejtuar  nga këshilltari më i vjetër  në moshë, është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve. “Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet dhe ajo thirret tre ditë më vonë, por jo më shumë se tre herë. Në rastet kur edhe pas tri herësh thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë”.  Në mbledhjen e parë ngrihet komisioni i mandateve, miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit, bëjnë betimin këshilltarët, zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut dhe ata pajisen me mandatin e përfaqësimit.

Agjencia Reuters: Shqipëria rrëzon piramidën e Hoxhës për një parlament të ri

Bleona Qerreti është amerikane dhe nuk thotë as faleminderit në shqip