in

Konvertimi i patentave shqiptare

Si të konvertoj patentën shqiptare? A duhet të jap një provim?

Marrëveshja për konvertimin e patentave shqiptare në Itali ka ardhur në fuqi në 15 gusht 2009 Ajo është e vlefshme për pesë vjet, pra deri më 15 gusht 2014.

Për të konvertuar një patentë shqiptare, para së gjithash, duhet treguar që ajo është marrë në Shqipëri para vendosjes së rezidencës në Itali dhe se kërkuesi i konvertimit të patentës ka një dokument qëndrimi në Itali, leje apo kartë qëndrimi, të vlefshëm.

Nëse titullari i një patente shqiptare, vjen e merr rezidencën në Itali, ai konverton patentën e tij pa qenë nevoja të japë provimet e teorisë dhe të praktikës, me përjashtimin e rasteve të mëposhtme të parashikuara në nenin 4 të marrëveshjes: “nëse titullari i patentës shqiptare ka rezidencën në Itali prej mëse 4 vjetësh, e konverton atë pasi u nënshtrohet provimeve të rishikimit të lejes së drejtimit, por vetëm në rast kur është vërtetuar që nuk ka drejtuar automjete për një periudhë trevjeçare”. Kjo do të thotë që konvertimi nuk bëhet automatikisht për ata që qëndrojnë në Itali prej shumë kohësh, – dhe të tillë ka shumë të interesuar – të cilët do t’u nënshtrohen sidoqoftë një provimi.

Një tjetër kufizim i përcaktuar në marrëveshje kishte të bënte me modelin e patentës shqiptare: sipas marrëveshjes “do të konvertohen patentat në formatin card të lëshuara nga 1 korriku 2005”; ndërsa “patentat në karton, në fuqi prej 1 nëntorit 1999, mund të konvertoheshin në Itali vetëm vitin e parë nga data e ardhjes në fuqi të marrëveshjes, pra nga 15 gusht 2009 deri më 14 gusht 2010”.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturave dhe Transporteve, konvertimi i patentave shqiptare është njësoj si ai i patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë, ashtu si Shqipëria. Në fakt në faqet zyrtare të kësaj ministrie, i vetmi shënim për Shqipërinë është që marrëveshja është e vlefshme për pesë vjet, duke filluar nga 15 gushti 2009.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre provinciale të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në modularin TT 2112 (që jepet në sportel) e përpiluar dhe e nënshkruar;
– Dëshmia e derdhjes së 29,24 eurove në llogarinë rrjedhëse postare 4028;
– Dëshmia e derdhjes së 9,00 eurove në llogarinë postare 9001. Buletinet e llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat Provinciale të Departamentit të Trasportit tokësor. Nuk mund të përdoren buletine të tjera përveç këtyre të gatshme;
– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët;
– Përkthimi me pullë-taksë me 14,62 euro i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar. Përputhshmëria e përkthimit me tekstin shqip duhet të certifikohet nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali. Kjo certifikatë duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;
– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;
– Certifikata mjekësore me pullë-taksë me fotografi (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;
– Fotokopja e kodit fiskal;
– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar, ose kuponi i përtëritjes.

Keti Biçoku

Qarkorja e ministrisë italiane të Infrastrukturave dhe Transporteve mbi konvertimin e patentave shqiptare

Baby sitter, duhet të ndjek punëdhënësit kur shkojnë me pushime?

Giovanardi: “Me këto ritme, do të kemi më shumë imigrantë se italianë”