Nënsekretari për Familjen Carlo Giovanardi komenton të dhënat mbi linde e pakta dhe plakjen e popullsisë: “Nuk do të ishte problem, por por nëse ne nuk do të jemi, kush do t’i integrojë?”. Vetëm pak ditë më parë ishte Magdi Cristiano Allam, ai që bënte thirrje të bëjnë më shumë fëmijë: “Nuk na duhen imigrantët, të bëjmë ne më shumë fëmijë”
Romë, 22 korrik 2011 – Carlo Giovanardi është i shqetësuar për të ardhmen e Italisë. Italianët po plaken dhe nuk bëjnë fëmijë, duke rrezikuar të kthehen në minorancë në një vend që tërheq gjithnjë e më shumë imigrantë.
Nënsekretari me delegën për Familjen ka çuar më 22 korrik në Këshillin e ministrave bocën e tij për “Planin kombëtar të politikave për familjen”, një seri ndërhyrjesh, edhe fiskale, që duhet t’u lehtësojnë disi jetën familjeve që dëshirojnë të bëjnë fëmijë. Për të përballuar atë që Giovanardi quan “Problemi i parë i Italisë për të ardhmen”.
Sipas nënsekretarit, nëse nuk ndërhyhet tani rrezikohet të përmbyset raporti mes italianëve dhe jo-italianëve. “Me mos-lindjet, plakjen dhe imigracionin, ose duhet të ndryshohet prirja ose në vitin 2050, pra në një të ardhme shumë të afërt, ne italianët në Itali do të jemi një minorancë e popullsisë” ka deklaruar Giovanardi.
E nuk është ndalur këtu, por ka vazhduar të sqarojë edhe më tej këtë problem: “Fakti që nuk shtohemi, nuk është problem në vetvete. Për fat të mirë vijnë imigrantë nga e gjithë bota për të mbushur boshllëkun e lënë nga rënia e lindshmërisë italiane, por problemi dramatik është që nëse nuk do të jemi, nuk do të arrijmë të integrojmë të tjerët”.
Në gjykimin e Giovanardit duket se diçka nuk shkon. Para së gjithash është në dëm të integrimit të kundërvësh lindshmërinë e ulët dhe dukurinë e imigracionit.
Sa për integrimin e imigrantëve, ai nuk është një “shërbim” apo “e mirë” që vendi ku të huajt shkojnë për të punuar e jetuar mund t’u ofrojë me shumicë apo pakicë në bazë të popullsisë së vet. Është një proces shoqëror që përfshin qoftë të huajt qoftë vendasit. Siç e shtron Giovanardi, duket sikur integrimi është asimilim: “do të jemi pak në të ardhmen, si do t’ia bëjmë që “të hamë” gjithë ata të huaj që do të na vijnë”.
Nga ana tjetër arsyetimi i Giovanardit nuk qëndron, edhe për faktin që, në vitin 2050, do të jenë italianë edhe imigrantët e sotëm dhe bijtë e tyre. Apo ata nuk i konsideron 100% italianë?
Vetëm pak ditë më parë, Magdi Cristiano Allam, i lindur në Kajro, sot italian, shprehej: “Italisë nuk i nevojiten imigrantët, mjafton që të bëjmë më shumë fëmijë. Kriza demografike italiane nuk mund të zgjidhet me flukset e forta të të dëshpëruarve. Nuk duhet të bëhemi bashkëfajtorë në trafiqet e njerëzve të administruara nga kriminaliteti. Duhet të rrisim lindshmërinë e italianëve duke mbështetur familjen dhe nënat”. “Të bëjmë fëmijë” thotë Allam, duke harruar që edhe vetë është i ardhur si ata imigrantët që nuk iu dashkan më Italisë. Me dashje apo pa dashje, me të drejtë i konsideron fëmijët e tij italianë. Por do të jenë italianë nga ata që nuk merr në konsideratë Giovanardi.
ke.bi.