Për të 11-tin vit rresht Ulqini mbledh 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja në panairin e librit në gjuhën shqipe
Mbi 50 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Bosnja marrin pjesë në panairin e Librit “Ulqini 2011” që u hap mbrëmjen e 25 në Ulqin, qytetin bregdetar të Republikës së Malit të Zi, i banuar nga 40 mijë banorë, shumica shqiptarë, po ku jetojnë edhe malazezë, boshnjakë dhe romë.
Ministrja e Shkencës dhe Teknologjisë së Malit të Zi, Sonja Vllehoviç, zëvendës ministrja e MTKRS-së së Shqipërisë Suzana Turku dhe ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi deklaruan të hapur këtë edicion, në prani të disa qindra të pranishmëve, pjesa më e madhe e të cilëve pushues që mbipopullojnë qytetin e vogël bregdetar në këtë periudhë të vitit. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, udhërrëfyes turistikë dhe harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj, janë paraqitur para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.
Panairi i librit shqip, tashmë një eveniment i zakonshëm prej 11 vjetësh, cilësohet si një faktor që ndihmon në integrimin e kulturës shqiptare. “Ulqini është konsoliduar tashmë si një nga qendrat kyçe të rajonit që bashkon në më shumë se një dekade kulturat e vendeve pjesëmarrëse. Për t’u shënuar është se panairi, një iniciativë e botuesve shqiptarë, është mbështetur gjithherë nga kryetari vizionar i qytetit të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga”, tha për ATSH-në, Irena Toçi, përfaqësuese e Shoqërisë së Librit Shqip.
Duke përshëndetur çeljen e panirit të librit shqip, Gëzim Hajdinaga tha se “11 vite më parë, kur u organizua për herë të parë ky panair në Ulqin ishte e vështirë, por ishim të sigurt se ai do të shndërrohej në një ngjarje të rëndësishme për të gjithë rajonin”. “Sot, vijoi ai, në edicionin e tij të 11-të kjo gjë konfirmohet plotësisht”.
Ai përmendi me këtë rast personalitetet më të larta politike dhe kulturore që kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këto 11 vite të panairit, duke shprehur besimin se ky aktivitet do të vazhdojë të jetë një traditë e bukur për qytetin Ulqinit. Përgjatë shëtitores së plazhit të vogël, ku tradicionalisht ngrihen stendat e panairit veror, janë ekspozuar rreth 5000 tituj libra, tituj te rinj të të gjitha gjinive. Nuk mungojnë në këtë edicion librat e autorëve më të mirë shqiptarë Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Zija Çela, Ben Blushi, Diana Çuli, Flutura Açka, Viktor Canosinaj etj., dhe të huaj si Paulo Coelho, L.Gauillant, Musso, Ugo Ricarelli, Alberto Bevilacqua, Raffaele Nigro, Orhan Pamuk, N. Sparks etj.
Është traditë e panairit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Luan Starova, sikundër kanë marrë pjesë dhe autoritete të larta të dy vendeve. Në këtë edicion, si i ftuar special nga fusha e kulturës është studiuesi Bajram Kosumi, ish- kryeministër i Kosovës, për veprën e të cilit sot organizohet një mbrëmje e veçantë.