in

Shqipëria turistike. Zgjidhet përkohësisht problemi i ujërave të zeza në bregdet

Në mungesë të impianteve të ujërave të zeza, në bregdetin e zonës së Durrësit, problemi zgjidhet pjesërisht dhe përkohësisht

Tiranë, 26 korrik 2011 – Problemi i derdhjes së ujërave të zeza në bregdet ka marrë zgjidhje të përkohshme. Në plazhin tradicional në Durrës funksionojnë 5 stacione pompimi, të cilat megjithëse funksionojnë në kapacitet të plotë, shpesh nuk mund të përballojnë sasinë e madhe të ujërave të zeza, produkt i qindra hoteleve, restoranteve dhe banesave pranë vijës së ujit. Situata paraqitet më problematike në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku vendosja e disa filtrave pranë derdhjeve në det duket se herë pas here ka problemet e veta të mosfunksionimit. Sipas hartës së paraqitur nga Instituti i Shëndetit Publik në prag të sezonit veror, këto zona, bashkë me plazhin e Currilave, me gjithë monitorimin e përhershëm, kanë një shkallë më të lartë ndotjeje se sa plazhet e Jugut të vendit.

Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit konfirmojnë për ATSH-në se ditët e fundit është ndërhyrë dhe situata ka marrë zgjidhje. Tonin Hysi, drejtor i Kontrollit të Mjedisit, thotë se gjatë fundjavës dhe të hënës inspektorët kanë punuar në zonë për vënien nën kontroll të situatës. Ai sqaron se kjo është një zgjidhje sezonale, ndërsa situata do të marrë zgjidhje përfundimtare me ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në zonë.

Hysi shton se “është bërë kontroll në të gjithë zonën bregdetare në lidhje me ujërat e zeza, nga i cili rezultoi se zona më problematike është ajo e Golemit, ku aktualisht janë vendosur filtra mekanikë aktivë të përkohshëm, që bëjnë ndërprerjen dhe më pas pastrimin e ujërave të zeza”.

Ndërkohë, sipas tij, inspektoriati i mjedisit kontrollon në mënyrë të vazhdueshme të gjitha aktivitetet e hoteleve për pastrimin e gropave septike. Në çdo rast abuzimi, përgjegjësit janë ndëshkuar me masat e përcaktuara në ligj. Në total, për shkeljet në zonat bregdetare, janë vendosur 36 gjoba, 33 masa me pezullim dhe mbyllje aktiviteti, ndërsa në total janë kryer 2400 inspektime, bën të ditur Hysi.

Hapet panairi i librit “Ulqin 2011”

Shqipëria turistike. Bazilika paleokristiane e Elbasanit do të restaurohet