Angiolo Marroni, Garant për të burgosurit në Lazio, kundër rritjes së kohëqëndrimit në kampet e refugjatëve: “Dështim i politikave të integrimit”.
Romë, 9 gusht 2011 – “Me miratimin e dekretit që parashikon rritjen e kohëqëndrimit në Cie deri në 18 muaj, Kuvendi i ka kthyer këto struktura nga këto struktura nga qendra të pritjes në burgje të mirëfillta”.
Kjo është vërejtja e ashpër e bërë nga Garanti për të burgosurit i Lazios, Angiolo Marroni, që ka komentuar konvertimin në ligj të dekretit 89 të 2011-tës.
Në analizën e tij Garanti thotë se është i bindur se përplasjet dhe trazirat që kanë ndodhur ditët e fundit në Cie dhe Cara (qendrat e pritjes për kërkuesit e strehimit politik) në të gjithë Italinë janë “shenjë e një klime të dëshpërimit që po bëhet gjithnjë e më i papërmbajtshëm dhe që krijon situata intolerance dhe dhune gjithnjë e më akute, sinjale këto të një tensioni të lartë të përcaktuar nga një ndjenjë padrejtësie e thellë e motivuar nga vetëdija e të qenit të trajtuar si të burgosur, pa kryer ndonjë krim”.
Ky është rasti, sipas Garantit, i grave imigrante të mbajtura në Ponte Galeria. Gra që nuk kanë precedentë penalë dhe që shpesh vijnë nga situata shfrytëzimi dhe skllavërimi. “Pas masave urgjente të miratuara në qershor – shpjegon Marroni – Parlamenti ka ndërmarrë një linjë politike shumë të ashpër ndaj imigracionit”, që është në kontrast me emergjencën humanitare që po vërehet ditët e fundit.
“Kjo normativë e re do të përkeqësojë situatat në Cie dhe mundësia e mbajtjes së të huajve në to deri në 18 muaj është një hap i mëtejshëm drejt një barbarie të papranueshme në mënyrën e përballjes me problemet e lidhura me emigracionin në Mesdhe”.
Sipas Garantit, me gjithë përpjekjet e mëdha të administruesve të qendrave dhe të zyrave të imigracionit të kuesturave që gjatë këtyre ditëve janë gjithnjë të mbytura nga puna, strukturave u duhet të përballen përditë me vështirësitë dhe ngadalësinë burokratike si “inercia e konsullatave që nuk përgjigjen apo që u përgjigjen me shumë vonesë kërkesave për njohjen e shtetësisë, kusht i domosdoshëm për riatdhesimin” ka qortuar Marroni.
“E gjithë kjo – përfundon Garanti – nuk është koherente me parimet e bashkëjetesës civile, të tolerancës dhe të solidaritetit që kanë karakterizuar historikisht popullin dhe institucionet italiane”.