Kështu ka vendosur Ivan Cevellin pas të shtunës së shkuar kur tre shqiptarë, pasi ishin sharë e pështyrë me dy të rinj, u zunë edhe me rojet duke i kërcënuar e plagosur më shishe e gota të thyera
Romë, 6 shtator 2011 – Përpara se të hyjnë në lokalin Victoria (në Vittorio Veneto të Trevisos), klientët duhet të paraqesin letërnjoftimin. Është kjo një nga masat që ka vendosur të marrë pronari i lokalit, Ivan Cervellin, pas zënies së ditës së shtunë të javës së kaluar. Tre shqiptarë pasi ishin sharë e pështyrë me dy të rinj, u zunë edhe me rojet duke i kërcënuar e plagosur më shishe e gota të thyera.
“Ata me siguri kanë qenë gjaknxehtë, njerëz pa respekt. Nuk dua më shqiptarë në lokal” thotë për gazetat lokale Cervellin i cili shpjegon se ligji nuk i lejon që në hyrje të vendosë një tabele me shkrimin “Ndalohet hyrja e shqiptarëve”. Prandaj ka vendosur që të kontrollojë letërnjoftimet e klientëve dhe të lerë jashtë ata që njihen për sjellje të dhunshme. “Nuk kam ndonjë inat me shqiptarët në përgjithësi, nuk është çështje racizmi, por nuk është e drejtë që për disa njerëz të azdisur të prishet atmosfera e lokalit”, përfundon Cervellin i cili në këtë mënyrë synon të mbajë larg lokalit të tij persona me të cilët nuk është e mundur të dialogohet dhe kundër të cilëve forcat e rendit nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë.