Kristi Pinderi, Shekulli
Nga shtypi shqiptar
Vizita në Shqipëri e ish kryetares së Parlamentit të Italisë Irene Pivetti, ishte një rast i jashtëzakonshëm për familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos për të demonstruar me gjithë forcën e dhimbjes së tyre një indinjatë edhe fisnike, edhe thelbësisht shqiptare.
Irene Pivetti, 48 vjeç, është sot një gazetare pasi ka qenë deputete e Italisë për të paktën 10 vjet, e në mes të kësaj dekade (nga viti 1992 deri në 2001) edhe kryetare e dhomës së ulët të deputetëve në Itali. Në vigjilje të tragjedisë së Otrantos së vitit 1997, ose më saktë tre ditë para asaj tragjedie, deklaroi në Kuvendin italian ku përfaqësonte Lega Nord që “nëse Italia nuk arrin të ndalojë emigrimin e shqiptarëve brenda brigjeve dhe tokës së saj, atëherë më mirë ti hedhim ata sërish në det!”.
Ngaqë fati ndonjëherë është edhe ironik po aq sa është dhe tragjik, tre ditë pas asaj deklarate “Kateri i Radës” u mbyt në Gjirin e Otrantos, një tragjedi ajo që shqiptarët zor se mund ta harrojnë kollaj. Një proces i gjatë juridik, shumë i anatemuar për mungesë drejtësie ndaj familjarëve të viktimave u bë pjesë e shtypit të përditshëm dhe e historisë së përbashkët të dy popujve që ndahen prej mijëvjeçarësh nga një rrip i ngushtë deti që ka prodhuar historikisht tragjedi. Po të ndalemi dhe njëherë tek Irene Pivetti, që dje takoi krerët më të lartë të shtetit, por teksa po hynte në zyrat e Dhomës së Tregtisë së Vlorës u ndalua nga familjarë të viktimave të Otrantos të cilët e detyruan të kërkonte ndjesë për deklaratat e saj.
Në vitin 2007, gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica” shkruante se deklarata e zonjës në fjalë: “t’i hedhim shqiptarët në det” është një prej momenteve historike të racizmit italian të shprehur nga goja e një politikaneje. Pak ditë më vonë, një gazetar i “Corriere della sera” intervistoi Joseph Ratzinger, që sot është Papa Benedikti i VI dhe teksa e pyeti se cilat ishin komentet e tij në lidhje me atë deklaratë, Ratzinger bëri një reagim gati shokues për botën e gazetarisë: “Obobo…. ashtu ka thënë vërtet?!” E pas kësaj heshti… duke mos pranuar të jepte komente të mëtejshme!
[…]
Dje, teksa kishte vizituar Shqipërinë për një aktivitet në dukje “maratonomak” por që në thelb të vetin ka interesa ekonomike për të bërë biznes në Shqipëri, Pivetti u ndal në rrugë nga familjarë të viktimave të tragjedisë së Otrantos. Në sy të medias, ata i thanë: “Sot keni helmuar tokën shqiptare. Në vitin ‘97 ju keni kërkuar që shqiptarët të hidhen në fund të detit dhe pikërisht pas tre ditësh një anije me 115 shqiptarë në bord përfundoi në fund të detit. Sot është helmuar vendi ynë njëlloj si atë ditë që humbëm njerëzit tanë”, tha një grua shqiptare tërë dinjitet, forcë e guxim, e cila përfaqësonte shoqatën “Otranto”.
Lexo shkrimin të plotë në: shekulli.com.al
http://www.youtube.com/watch?v=CaYF5V-5jCY