in

Nis viti i ri shkollor. Gelmini: “Mbetem kundër klasave geto”

Ndër bankat e shkollave edhe 700 mijë bij imigrantësh. Ministri i Arsimit Gelmini: “Ku ka vetëm nxënës të huaj nuk ka integrim”. Protestë e PD-së përpara shkollës në San Siro të Milanos

Romë, 12 shtator 2012 – Shkollat hapin dyert në të gjithë Italinë për tetë milionë nxënës, përfshirë edhe 700 mijë bij imigrantësh .

Edhe këtë vit, ashtu si edhe për vitin e shkuar vlejnë udhëzimet e ministrisë së Arsimit për moskapërcimin e kufirit maksimal të 30% të nxënësve të huaj për klasë. Në pjesën dërrmuese të shkollave, rregulli është aplikuar në mënyrë fleksibël, pa krijuar shumë vështirësi. Probleme janë ndeshur vetëm në shkollat e zonave me përqendrim të lartë të imigrantëve.

Një rast ekstrem vërehet në Milano, në shkollën Lombardo Radice të lagjes San Siro, ku në klasë të parë fillore u regjistruan 17 fëmijë, prej të cilëve vetëm dy italianë. Meqë nuk mund të respektoheshin udhëzimet e ministrisë, klasa e parë nuk u formua dhe të gjithë fëmijët u shpërndanë nëpër shkolla të tjera.

Zgjedhje kjo që shkaktoi jo pak polemika dhe që, pas ankimimit të disa prindërve do të mbyllet vetëm me gjyq.

Mbi këtë rast ka folur sot ministri i Arsimit Mariastella Gelmini, e ftuar në transmisionin televiziv “Mattino Cinque”. “Shkolla Lombardo Radice – shpjegoi ajo – përbëhet nga dy struktura: në njërën prej tyre kishte një klasë në këto kushte, në tjetrën, rreth një 1.500 metra nga e para, klasa nuk arrinte as kufirin maksimal të 30% të nxënësve të huaj. U rishpërndanë nxënësit pa diskriminuar asnjë duke u siguruar të gjithëve mundësinë e ndjekjes së shkollës fillore”.

Sipas Gelminit, “kufiri maksimal i 30 përqindëshit nevojitet për të arrirë integrimin e për të mos pasur klasa-geto, që nuk ndihmojnë as nxënësit italianë e as ata të huaj”. “Ata që nuk flasin për integrim por që e praktikojnë dhe përjetojnë situatat konkrete, prej kohësh janë të mendimit se klasat me vetëm nxënës të huaj apo pothuajse, nuk përmbushin kriteret më të mira të integrimit” shtoi ministri.

Ndërkaq, me gjithë kërkesat e prindërve, sot në mëngjes klasa e parë e shkollës Lombardo Radice nuk u hap. Përpara portës së shkollës manifestuan disa militantë të PD-së, “për të hapur të vetmen klasë të parë dhe për të kërkuar ndihmë për rritjen e numrit të të regjistruarve – shpjegoi këshilltarja provinciale, Diana  De Marchi – në mënyrë që eksperienca e integrimit e kësaj shkolle të mos shkojë dëm”.

Gjobat. Ku t’i paguajmë dhe si të mbrohemi kur janë të padrejta

Kombëtarja shqiptare e Regbisë, miqësore me Forlì 1979