Sipas ISTAT-it, presioni fiskal në Itali në vitin 2009 ka arritur në 43,2%, e megjithatë të ardhurat për arkat e shtetit kanë rënë me 1,9%
Romë 28 qershor 2010 – Presioni fiskal në Itali, apo e thënë ndryshe përqindja e taksave dhe e kontributeve e mbledhur nga shteti mbi PBB-në, shkon nga 42,9% i vitit 2008 në 43,2% në vitin 2009. Kjo është fotografia paraprake e Istat-it që nxjerr në dritë pasojat e krizës mbi financat publike italiane.
Ky rezultat është për efekt të reduktimit të PBB-së në masë më të madhe se prurjet fiskale dhe parafiskale (taksa dhe kontribute shoqërore), por kjo dinamikë negative (-2,3%) është zbutur nga shtimi i fortë i tatimeve me karakter të jashtëzakonshëm që janë rritur në vlerë absolute me thuajse 12 miliardë. Kështu, të ardhurat e përgjithshme për arkat e shtetit janë ulur me 1,9%, duke ndërprerë kështu prirjen në rritje të viteve të fundit.
Presioni fiskal italian ka arritur kështu të njëjtin nivel të Francës (43,2%) dhe krahasuar me vendet e tjera europiane renditet i pesti: është më i ulët se ai i Danimarkës (49%), Suedisë (47,8%), Belgjikës (45,3%) dhe i Austrisë (43,8%). Ndër vendet e BE-së, vendet me presion fiskal më të ulët janë Letonia (26,5%), Rumania (28%), Sllovakia dhe Irlanda (29,1% secila).