in

Gjirokastër. Në nëntëvjeçare do të mësohet edhe gjuha italiane krahas shqipes

Për herë të parë dy shkolla nëntëvjeçare të qytetit jugor do të kenë klasa dygjuhëshe, shqip – italisht

Tiranë, 14 shtator 2011 –  Në klasa të shkollave 9-vjeçare në qytetin e Gjirokastrës, nxënësit me një mesatare të notave mbi 7, do të mund të mësojnë gjuhën italiane.

Kështu, Gjirokastra do të ketë për herë të parë dy klasa dygjuhëshe shqip – italisht, njëra në shkollën 9-vjeçare  “Koto Hoxhi” dhe tjetra në shkollën “Urani Rumbo”. Krijimi i mundësive për mësimin e gjuhës italiane në këto shkolla, do të shërbejë për të gjithë ata që duan të studiojnë në Itali.

Në këto klasa, sipas Teodor Bilushit, pedagog i gjuhës italiane në Universitetin e Gjirokastrës,  mund të regjistrohet çdo nxënës i klasës së gjashtë dhe që ka një mesatare të notave  mbi 7.

Pas përfundimit të ciklit  9-vjeçar, studimet do të vazhdojnë në sistemin dygjuhësh në gjimnazin “Asim  Zeneli” , ku edhe po përgatitet infrastruktura e nevojshme, në mënyrë  që lëndët  në gjimnazin e Gjirokastrës ku do vazhdohen studimet, të jepen nga mësues shqiptarë dhe italianë.

Me përfundimin e gjimnazit, nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin studimet si në universitetet italiane, ashtu edhe në ato shqiptare, ndërkohë që nxënësit me mesatare të lartë, do të përfitojnë bursa studimi nga ministria e Jashtme italiane.

Prezantimi zyrtar i këtij programi të ri studimi u  bë nga Konsulli i Përgjithshëm italian në Vlorë, Sergio  Strozzi dhe Drejtori shkollor i Ambasadës Italiane në Tiranë, Vito  Stiliani.

Aksident në punë. Një punëtor plagoset, të tjerët ia mbathin

Parlamenti Europian paralajmëron rrezikun e dështimit të BE-së