Bijtë e imigrantëve shtohen nga viti në vit, ndërsa për ata të italianëve ka nisur rënia. Të dhënat e Institutit statistikor italian
Romë, 15 shtator 2011 – Imigrantët “përpiqen” me të gjitha forcat, por nuk ia dalin dot më të ngrenë grafikun e lindjeve në Itali, pas stimi të fjongove rozë e të kaltra të viteve të fundit, kthehet sërish shenja minus. E gjitha “për faj” të italianëve.
E nxjerr në dukje ISTAT, që të mërkurën ka botuar një raport mbi “Lindjet dhe fertiliteti i popullsisë rezidente” të dy vjetëve të fundit. Të dhënat e viteve 2009 dhe 2010 konfirmojnë që vazhdon rënia e numrit të lindjeve: nëse të lindurit në vitin 2009 kanë qenë 568.857, në 2010-tën kanë zbritur në 561.944, rreth 7 mijë më pak. Rritja e ngadaltë por e vazhdueshme e lindjeve e nisur në vitin 1995, vit ku i regjistrua edhe minimumi historik i lindjeve (526.06 të lindur), duket tashmë e ndërprerë.
Istat vë në dukje që rënia shkaktohet nga pakësimi i lindjeve nga prindër që të dy italianë (25 mijë më pak në dy vjet), ndërsa të sapolindurit me të paktën një prind të huaj vazhdojnë të shtohen, edhe pse me ritëm më të ulët se më parë: rreth 5 mijë më shumë në vitin 2009 dhe në 2010-tën, rritje e përgjysmuar krahasuar me atë që vërehej në vitin 2008.
Të lindurit me të dy prindërit e huaj gjatë vitit 2009 janë 77 mijë, ndërsa në vitin 2010 78 mijë, diçka më pak se 14% e të gjithë të lindurve. Por nëse këtyre shifrave u shtojmë edhe të lindurit nga çiftet e përziera arrihet në 102 mijë për 2009-tën dhe 207 në 2010, përkatësisht 18% dhe 19% të të gjithë të lindurve.
Tashmë në krahina të ndryshme të veriut të Italisë vërehet që të lindurit me të paktën një prind të huaj janë një ndër katër (Tabela 1). Në Emilia Romagna, për shembull, në vitin 2009, ndër 100 të lindur 29 kanë pasur të paktën një prind të huaj.
Renditja e nënave të huaja në Itali, sipas numrit të fëmijëve të lindur nis me rumune, marokene dhe shqiptare (Tabela 2). Të lindurit në vitin 2009 me nënë rumune janë 16.727, me nënë marokene 14.370, shqiptare 9.937.
Duke vërejtur shtetësinë e prindërve sipas përbërjes së çiftit bie në sy që marokenet, shqiptaret, kinezet janë të prira të ndërtojnë familje me fëmijë me partnerë të komunitetit të tyre,ndërsa gratë ukrainase, polake, moldave, ruse e kubane janë të pritura të kenë fëmijë me italianë më shpesh se me bashkatdhetarë. Nuk vlen një diskutim i tillë për rumunet: renditen të parat si nëna që bëjnë fëmijë me partnerë italianë por sidoqoftë në dy të tretat e rasteve bëjnë fëmijë me partnerë bashkatdhetarë.