in

Seri veprimtarish me rastin e 20-vjetorit të mësymjeve në ambasada

Jubileu i 20-vjetorit të hyrjes së shqiptarëve në ambasada më 2 korrik të 1990-tës do të kujtohet si shembja e murit të Berlinit të shqiptarëve. Kryeministri Berisha e deklaron këtë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Tiranë 28 Qershor – Shqiptarët do të kujtojnë me një seri veprimtarish 2 korrikun e vitit 1990, ngjarje që shënoi fillimin e përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur mijëra qytetarë “shembën Murin e Berlinit”, duke hyrë në territorin e ambasadave të akredituara në Tiranë.

Festimi i jubileut të kësaj ngjarjeje të madhe, që sipas Kryeministrit Sali Berisha, “përmbysi epoka dhe sisteme”, do të nisë me një miting pasditen e datës 1 korrik në Qytetin ‘Studenti’ në Tiranë dhe më pas do të kujtohet me një ekspozitë që do të çelet në datën 2 korrik.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kreu i Qeverisë u shpreh se “ky është viti jubilar i shembjes së Murit të Berlinit në Shqipëri”.

Kryeministri kujtoi se 20 vjet më parë analistë, dijetarë, publicistë, por mjerisht dhe politikanë, parashikonin se Shqipëria do mbetej “Kuba e Adriatikut” dhe nuk parashikonin shembjen e murit. Por shqiptarët mendonin se nuk mund të mbeteshin  ‘Kuba e Adriatikut’ dhe duhet të bënin detyrën e tyre. 2 korriku 1990, sipas Kryeministrit Berisha, “përbën përpjekjen e madhe të rinisë shqiptare për të shembur Murin e Berlinit në Tiranë”. Duke e konsideruar 2 korrikun një datë të shënuar në historinë e demokracisë së këtij vendi, Berisha tha se përzgjodhi Qytetin ‘Studenti’ për të nderuar këtë datë sepse ishin kryesisht “të rinj shqiptarë ata që u ekzekutuan në kufij për fajin e vetëm se u nisën drejt botës së lirë, trupat e tyre u zvarritën në Sarandë, në Shkodër e qytete të tjera”.

“Ne do të nderojmë 20 vjetorin e atyre ngjarjeve të mëdha që përmbysën epoka dhe sisteme. Askush në Evropë dhe botë nuk e ka pasur më të vështirë se shqiptarët, që ishin një komb që përjetonte terror dhe ku harresa kishte krijuar harresën”, tha Berisha. Nëse mbarë bota nderoi vitin e kaluar 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, sipas Kryeministrit, “shqiptarët kanë sot një motiv 20 herë më të madh për të nderuar këtë 20 vjetor”.

Të zbulosh Shqipërinë në Bolonjë falë USAB-it

Emilia Romagna: çdo 75 banorë, një është shqiptar