Më 3 dhe 4 tetor, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, merr pjesë në Forumin Ministrial BE-Ballkani Perëndimor për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, organizuar nga presidenca polake e BE në Ohër të Maqedonisë.
Ministri Nishani shprehu mirënjohjen e thellë që Qeveria shqiptare ka ndaj Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian në tërësi për ndihmën e pazëvendësueshme në forcimin e demokracisë dhe lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. “Lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës Shengen ishte dhe vijon të mbetet projekti kryesor dhe një ndër prioritetet madhore të Qeverisë shqiptare. Bashkimi Evropian vendosi të ndërtojë një proces të qartë, të matshëm dhe konkret për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet tona, ku padyshim fusha të tilla si lufta ndaj krimit të organizuar, kufij të sigurt, migracioni etj., ishin në qendër të këtij procesi dhe ku u dëshmua që pala jonë e përmbushi me sukses këtë objektiv”.
Ai theksoi se, megjithëse procesi i liberalizimit të vizave është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian, shqetësimet e ngritura lidhur me menaxhimin e migracionit përkthehen në një prioritet për të intensifikuar masat e marra të deritanishme dhe ato të planifikuara në të ardhmen për t’i adresuar me efektivitet çështjet e rasteve të raportuara nëpërmjet sistemit të EU “alert”.
Nishani paraqiti disa nga masat e marra nga Qeveria shqiptare për goditjen dhe parandalimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është një ndër fushat parësore për Qeverinë shqiptare, po ashtu dhe një element shumë i rëndësishëm në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, “Shqipëria vazhdon të arrijë sukses me programin e saj për reduktimin e prodhimit dhe trafikimit të drogave, për garantimin e një kontrolli efektiv dhe sigurimin e territorit të saj, ku gjatë vitit 2011, në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, nga numri i rasteve të konstatuara ka rritje të fuqisë zbuluese me mbi 15 %, në raport me vitin 2010”.
Gjithashtu shtoi ai, është punuar për përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër drogës.
Gjatë vitit 2011, nënvizoi Nishani, “është intensifikuar puna për goditjen e rrjeteve të trafikut e shpërndarjes së drogave dhe treguesit e luftës kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar janë goditur grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ku janë realizuar me sukses 14 operacione ndërkombëtare (me Italinë, me Zvicrën, me Gjermaninë, me SHBA, me Spanjën dhe me Slloveninë) duke zbatuar teknikat speciale të hetimit”.
“Përveç goditjeve intensive të grupeve kriminale të trafikimit të narkotikëve, një rol efektiv në këto rezultate ka patur edhe funksionimi mjaft i mirë i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, e cila është e pajisur me një staf të specializuar dhe me pajisjet nga më modernet për të interceptuar, ndjekur e goditur rastet e trafikimit nëpërmjet detit”, tha Nishani, i cili shtoi se, “është rritur numri i rasteve për hetimet pasurore dhe njëkohësisht sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurisë të cilat janë në hetim së bashku me Prokurorinë për Krime të Rënda.
Ai vuri në dukje se “me financim të Delegacionit të Bashkimit Europian, ka përfunduar ndërtimi i 10 godinave të reja të PKK-ve dhe 17 stacione të Policisë Kufitare dhe Migracionit. Me financimin e shtetit shqiptar ka përfunduar godina e Njësisë se Lëvizshme Territoriale. Janë lëvruar 7 (shtatë) mjete lundruese për mbikëqyrjen e hapësirës detare”.