in

Karta e qëndrimit: në dhjetor me test gjuhe

Për të marrë dokumentin afatgjatë të qëndrimit, kartën e qëndrimit, duhet kapërcyer një provë e lehtë (niveli A2) e gjuhës italiane

Nga dhjetori i ardhshëm një “pengesë” më shumë për marrjen e kartës së qëndrimit apo atë që sot quhet lejeqëndrim CE për qëndruesit afatgjatë.

Parashikohej qysh me paketën e sigurisë, por vetëm tani ministritë e Brendshme dhe e Arsimit kanë vendosur se si do të zhvillohet testi dhe e kanë shkruar të zezë mbi të bardhë në një dekret që të premten e shkuar është botuar edhe në gazetën Zyrtare. Risia do të hyjë në fuqi në dhjetor, ndaj kush përmbush të gjitha kushtet për kartën e qëndrimit dhe nuk dëshiron t’i nënshtrohet testit, ta paraqesë sa më parë kërkesën.

Sipas dekretit, testi do të bëhet në prefekturë, mundësisht pikërisht në Sportelin Unik për Imigracionin. Normalisht do të jetë i informatizuar, por mund të kërkohet të bëhet me shkrim, dhe do të konsiderohet provë e kapërcyer nëse merren të paktën 80 pikë ndër 100. Ata që nuk do të kalojnë provën mund ta riprovojnë. Gjithsesi nuk është fjala për ndonjë provë të vështirë, pasi kërkohet të tregohet njohje e italishtes në nivelin A2, që sipas standardit evropian korrespondon me pasjen e njohurive mjaft elementare të gjuhës, diçka aspak e vështirë për kë jeton në Itali prej pesë vjetëve, që është edhe kushti bazë për kërkimin e kartës së qëndrimit.

Sidoqoftë testin nuk duhet ta bëjnë të gjithë. Përjashtohen të miturit nën 14 vjeç, kush ka probleme mësim-nxënieje gjuhësore, për moshë, invaliditet apo patologji të certifikuara nga mjeku; apo kush ka në xhep një certifikatë që dëshmon njohje të gjuhës italiane të nivelit A2 a më të lartë; kush ka marrë në Itali diplomën e shkollës tetëvjeçare apo të mesme, apo ndjek universitetin, doktoratën apo një master; drejtuesit e lartë, profesorët, përkthyesit, gazetarët korrespondentë të gazetave të huaja të ardhur në Itali “jashtë kuotave të flukseve”.

Elvio Pasca

Lexo edhe: Niveli A2 i njohjes së italishtes, ç’do të thotë?

 

 

Niveli A2 i njohjes së italishtes, ç’do të thotë?

Kompensimi për papunësinë