in

Njëzet vjet partneritet Shqipëri-ShBA

Një konferencë në hotelin Sheraton ka mbyllur serinë e aktiviteteve në kuadrin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes ShBA-ve dhe Shqipërisë. I pranishëm edhe gazetari i “Zërit të Amerikës” Elez Biberaj

Tiranë 6 tetor 2011 – “Liria funksionon”, qe mesazhi i qartë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Beiker i drejtohet turmës prej qindra mijëra shqiptarësh që kishin mbushur sheshin “Skënderbej” atë mesditë të datës 23 qershor 1991. Qe veçse hapi i parë i shpresës, i fundit të vuajtjeve, i mendimeve të lira dhe paqes të shqiptarëve ndaj shqiptarëve.

Në kuadër të 20 viteve marrëdhënie bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Departamenti Amerikan i Shtetit në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe USAID, kanë risjellë edhe njëherë në memorien e mbarë shqiptarëve dhe miqve të tyre në botë, 20 vjetorin e partneritetit Shqipëri-Amerikë e njëherazi 20 vjetorin e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve në një konferencë të zhvilluar në mjediset e Hotel “Sheraton” në Tiranë me temë “Albanian-American Relations. Building the future” (Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane. Ndërtimi i së ardhmes).

Në këtë kujtesë historike solemne, mes dhjetëra historianëve, gazetarëve dhe personazheve të njohura nga politika dhe arti, u risoll në kujtesën e të gjithëve, momentet e para të fillesave të demokracisë së brishtë shqiptare, ndihma e drejtpërdrejtë e shtetit amerikan, por edhe vizita historike e Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhejms Beiker asokohe.

Arvizu: “E ardhmja është në duart tuaja”

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i pranishëm në këtë konferencë të prezantuar si një aktivitet jubile, pas një prezantimi të shkurtër të fakteve historike, të rifilluara pas më se 50 vitesh ndërprerje me nënshkrimin e një marrëveshjeje në Uashington në 15 mars të vitit 1991, u ndal te faktet historike të marrëdhënieve mes dy shteteve, por edhe në punën heroike të Uilliam Rajerson, ambasadorit të parë të SHBA-së që kreu misionin e tij në Shqipëri deri në vitin 1994.

Gjithashtu në vëmendjen e ambasadorit Arvizu, ishte edhe zëri i atij personi që mbajti me shpresë Shqipërinë dhe shqiptarët nga Uashingtoni i largët, gazetari i “Zërit të Amerikës” Elez Biberaj, i pranishëm gjithashtu në aktivitetin e sotëm, ai, i cili shoqëroi edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit asokohe.

“Në vitin 1991 Shqipëria gjendej në udhëkryq. Komunizmi kishte dështuar”, përmendi ambasadori Arvizu duke vijuar se, “udhëheqësit politikë shqiptarë do të merrnin një vendim; të ndiqnin rrugën e vjetër apo atë të re. Udhëheqësit shqiptarë do të vendosnin të na ftonin ne dhe komunitetin ndërkombëtar për ndihmë. Sot, po ashtu Shqipëria ka nevojë për reforma. E ardhmja është veçse në duart tuaja”, theksoi Arvizu.

“Kemi rrugëtuar së bashku për 20 vite rresht. Të rikujtojmë emocionet e dikurshme e të ecim përpara bashkë”, ka përmbyllur fjalën e tij Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Topi: “Qytetarët janë disa hapa përpara politikës. Duhen dëgjuar”

Presidenti Bamir Topi, në fjalën e tij përshëndetëse përpos rikujtimit të hapave të parë të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, i vlerësoi ato si “hapjen e derës miqësore” për shqiptarët, duke theksuar më tej se “sot ne kujtojmë ditën kur midis nesh u hap një derë miqësore, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht kjo qendër, kjo Seli, e cila nuk është thjesht fizikisht, por jep një impakt të jashtëzakonshëm shpirtëror për shqiptarët. Të gjithë ndajmë vlerësim të lartë e jemi krenar për këtë, por mendoj se respekti për SHBA-në duhet treguar edhe në respektin për vlerat dhe parimet që e bëjnë këtë vend një vend lider të demokracisë”. Duke iu referuar debatit të brendshëm presidenti Topi “u ka tërhequr” veshin politikanëve shqiptarë: “Politikanët tanë shfaqen në publik idhtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur. Unë besoj se ky vëzhgim është i drejtë. Ne kemi një popullsi të re në moshë, plot energji dhe me etje të madhe për ndryshim. Ata meritojnë të dëgjohen, të respektohet vullneti i tyre i lirë dhe që produktet politike t’u zgjerojmë, e jo t’u kufizojnë liritë dhe hapësirat e tyre për të ardhmen”.
Gazetari Elez Biberaj i “Zërit të Amerikës” përmes fakteve historike risolli në vëmendjen e të pranishmëve atë ditë të shumëpritur për gjithë shqiptarët, duke përmendur se mbështetja e diplomacisë së jashtme amerikane, u fokusua drejt opozitës shqiptare të udhëhequr nga liderët Sali Berisha dhe Gramoz Pashko.  

Raymond Seitz, Zëvendës Sekretari për Marrëdhëniet Evropiane dhe Kanadeze, në kujtesën e tij si mesazh përcjellës në broshurën e përgatitur në kuadër të 20 vjetorit të partneritetit mes dy vendeve që mban datën 15 mars 1991, vë në dukje: “Marrëdhënia mes vendeve tona e ka fillimin në vitet e para të këtij shekulli, kur presidenti Uilson zgjeroi mbështetjen amerikane për shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua asnjëherë nga disa mijëra amerikanë me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën lidhjet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”.

Greqia e shqetësuar për Censusin në Shqipëri

Ndërron jetë Ramiz Alia, i fundit president komunist i Shqipërisë