in

1.500 euro për tezën më të mirë mbi miqësinë Itali-Shqipëri

Shoqatat Ilirianët, Ambito Sociale dhe Universiteti i Urbinos hapin një konkurs për tezën e diplomimit më të mirë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Itali. 1.500 euro fituesit

Novruz Kareci (i pari majtas) gjatë prezantimit të konkursit
Konkursi “Miqësia Itali-Shqipëri nga viti 1500 e këtej” do të vlerësojë me 1.500 euro tezën e diplomimit më të mirë mbi marrëdhëniet kulturore Itali Shqipëri. Organizohet nga shoqata e shqiptarëve “Ilirianët” dhe “Ambito Sociale”, Universiteti i Studimeve “Carlo Bo” të Urbinos dhe me mbështetjen e komunës së Fanos.

Është i hapur për të gjithë studentët e diplomuar në Universitetin e Urbinos, që kanë pasur si tezë të diplomimit të tyre një temë mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë. Të interesuarit duhet të dorëzojnë tezën e tyre, një kopje në letër dhe një tjetër në format digjital, brenda 15 nëntorit 2011, pranë zyrës ‘Erasmus e Relazioni Internazionali’ (via Saffi, 1 -61029 Urbino).  Fituesi do të përzgjidhet nga një juri e përbërë nga tre profesorë të universitetit të Urbinos, nga koordinatorja e Ambito, Sonia Battistini dhe kryetari i shoqatës Ilirianët Novruz Kareci.

Shoqata Ilirianët është themeluar në vitin 2001 dhe në këto dhjetë vjet ka zhvilluar veprimtari të larmishme dhe ka çuar përpara projekte të ndryshme mbi integrimin e shqiptarëve në territorin e Urbinos. Herë vetëm e shpesh në bashkëpunim me shoqata të tjera apo me ente lokale. “Veprimtaria e shoqatës sonë është e pasur – tregon për Shqiptariiitalise.com, kryetari i shoqatës, Kareci – dhe e kam të vështirë t-i numëroj. Mund të kujtoj, për shembull, veprimtaritë e zhvilluara për festën e pavarësisë, prezantimin e kuzhinës shqiptare miqve italianë, ngritjen e “bibliotekës multietnike” në bashkëpunim me shoqatën Millevoci, projektin “Io racconto, tu racconti noi ascoltiamo” edhe këtë në bashkëpunim me shoqata të tjera e entet lokale”. Por shoqata nuk është ndalur këtu. “Kemi ndihmuar konkretisht shqiptarë në nevojë në marrëdhëniet e tyre me administratën publike italiane, për marrjen e dokumenteve, për shembull” shpjegon gjithnjë Kareci. Projekti i ardhshëm? “Ndoshta arrijmë të realizojmë binjakëzimin mes Sarandës dhe Fanos” thotë Kareci.

 

Janë mbi 2.700 shqiptarë në burgjet e Italisë

Vlorë, Berat e Gjirokastër. Java XI e gjuhës italiane në botë, më 21-26 tetor