in

Vlorë, Berat e Gjirokastër. Java XI e gjuhës italiane në botë, më 21-26 tetor

Aktivitete për promovimin e vlerave të kulturës dhe të gjuhës italiane do të organizohen në këto qytete, në kuadrin e Javës së Njëmbëdhjetë e Gjuhës Italiane në Botë, të organizuar nga Konsullata e përgjithshme e Vlorës dhe nga Instituti italian i kulturës

Tiranë, 11 tetor 2011 – Në datat 21-26 tetor, në Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, do të zhvillohet Java e Njëmbëdhjetë e Gjuhës Italiane në Botë, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Italisë, përmes Konsullatës së Përgjithshme në Vlorë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Kjo javë, që e ka zanafillën e saj në vitin 2001, e ideuar nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe Akademia e Crusca-s, nën kujdesin e Presidentit të Republikës Italiane, ka si synim promovimin e kulturës dhe të gjuhës italiane në të gjithë botën. Gjatë viteve, aktivitetet e organizuara me këtë rast kanë ardhur duke u rritur në numër e cilësi.
Burime zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, bënë të ditur për ATSH-në se, gjatë ditëve të Javës së Gjuhës Italiane në rajonin që mbulon kjo konsullatë, që përfshin mes të tjerash edhe rrethet Berat e Gjirokastër, veç Vlorës, do të organizohen aktivitete me të rinjtë e shkollave të mesme dhe studentë, ku do të promovohen vlera të kulturës dhe të gjuhës italiane, do të jepen koncerte nga artistë italianë, do të prezantohen libra nga autorë të njohur të vendit fqinj, do të ketë gjithashtu shfaqje kinematografike. Një aktivitet i veçantë do të jetë ai që do të zhvillohet në një nga lokalet e njohura në qytetin e Vlorës, ku do të jepen mësime teorike dhe praktike nga kuzhina italian.

Për herë të parë aktivitete në kuadrin e kësaj jave, në rajonin e jugut të vendit u zhvilluan në muajin tetor të vitit 2009, kur tema e Javës së Gjuhës Italiane nëpër Botë, ishte “Gjuha italiane mes artit, shkencës e teknologjisë”. Gjatë katër ditëve u organizuan konferenca për arkitekturën italiane në Shqipëri, mbi mbrojtjen e pasurisë artistiko-kulturore shqiptare dhe mbi artin prehistorik në jug të vendit. Gjithashtu u shfaqën filma për shkencëtarë italianë, projektime, një ekspozitë me makineritë e ideuara nga Leonardo Da Vinçi. Në qytetet e Vlorës dhe të Gjirokastrës u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar Guglielmo Marconit, shpikësi i radios, ose siç quhet ndryshe, “Babai i telekomunikacionit modern”.

1.500 euro për tezën më të mirë mbi miqësinë Itali-Shqipëri

Greva në Itali, vonesa në arritjen e trageteve në Durrës