in

Berishës i dorëzohet progres-raporti. “Fajin e ka opozita”

Sot pasdite ambasadori i BE-se në Shqipëri, Ettore Sequi, i dorëzoi nga një kopje të raportit kryeministrit dhe presidentit të Shqipërisë. I pari bëri fajtore opozitën për mos hapjen e rrugës drejt statusit të vendit kandidat. Presidenti theksoi edhe njëherë që “aktorët kryesorë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik”.

Tiranë 12 tetor 2011 – “Progres-Raporti, i prezantuar nga komisionari i Zgjerimit Stefan Fyle, është panoramë e situatës në Shqipëri”. Kështu është shprehur ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, të cilit sapo i ka dorëzuar Progres-Raportin për Shqipërinë, hartuar nga Komisioni Evropian.

Kryeministri Berisha, pasi falenderoi taksapaguesit e vendeve të BE-së për ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, Berisha tha se “për Shqipërinë, vendimi vjen negativ përsa i përket statusit, sepse një vit më parë KE ka renditur 12 kërkesa, që të gjitha të drejta, që të gjitha kërkesa dhe reforma që kërkojnë një afrim të mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Disa nga këto janë avancuar dhe kanë ndryshuar. Një pjesë kanë mbetur në vend numëro sepse kanë kërkuar një votim me 3/5”. 

“Jam i gatshëm të shohim përpara. Që nesër ta votojmë reformën zgjedhore. Por opozita propozon një skemë qesharake. Të ulemi në tavolinë për konsensus, me ekspertë ndërkombëtar”, tha kryeministri. 

“Mbetem tërësisht i hapur për dialog. Por dialogu kërkon dy palë, nuk e ka vetëm maxhoranca në dorë”, tha Berisha, i cili shtoi se natyrisht dialogu duhet të jetë me parime themelore, kushtetuese dhe demokratike.

Kryeministri theksoi se, “një opozitë dhe një njeri që ka vendosur interesin personal mbi atë të çdo shqiptari tjetër përbën një problem serioz. Mua më takon të jem i hapur për dialog”.
“Njerëzit e thjeshtë janë të kthjellët në këtë vend dhe e shohin që roli i Ramës është bllokimi. Rama kërkon që t’u hedhë hi syve shqiptarëve. Rama është një problem serioz, sepse ka vendosur interesat e veta mbi ato të vendit”, tha Berisha.

“Rama ka dërguar letra dhe ka bërë telefonata të shumta që Shqipëria të mos e marrë statusin e vendit kandidat. Cili ishte rezultati? 21 janari. Shqiptarët janë njerëz të mençur dhe e kuptojnë kush e ka fajin”, tha Berisha.

Ndërsa presidenti Topi zhvilloi sot pasdite një takim pune me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi, i cili i dorëzoi zyrtarisht Kryetarit të Shtetit Raportin e Përparimit për Shqipërinë për vitin 2010-2011 të përpiluar nga Komisioni Evropian.
Pasi i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Sequi për gjithë mbështetjen dhe ndihmesën dhënë Shqipërisë në rrugën për arritjen e standardeve integruese në familjen e madhe euroatlantike dhe pasi vlerësoi Bashkimin Evropian për qëndrimet gjithmonë objektive, Presidenti Topi theksoi se, “ne do ta lexojmë Raportin e Përparimit me kujdes e me shumë vëmendje duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues”.

“Do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë evropiane. Këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional, që mungon prej kohësh duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Evropian”, tha kreu i shtetit.

Lexo edhe: Për KE-në, progresi i Shqipërisë është i pamjaftueshëm

Arrestohen katër shqiptarë e sekuestrohen 200 kg marijuanë

Leje nga puna për martesë