in

“Halla ime Nënë Tereza”

Përshtypjet e Agi Bojaxhiut, vajzës së vëllait të Nënë Terezës, banuese në Palermo ditën e Lumnimit

Mes mijëra besimtarëve, që përjetuan ditën emocionuese të lumnimit të Nënë Terezës, ishte dhe Agi Bojaxhiu, mbesa e vetme e saj, vajza e vëllait Llazar. Agi është 55 vjeç. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Palermo.

Si e përjetuat lumnimin e Nënë Terezës?

“Me spiritualitet dhe respekt të thellë ndaj këtij momenti fetar shumë domethënës. Por zhurma e gazetave në këto ditë sikur më ka larguar pak nga lutja”.

Çfarë marrëdhëniesh keni patur me hallën tuaj?

“Shumë njerëz habiten, por unë i jam drejtuar gjithnjë me emrin “Nënë”. Nuk më bëhej ta thërrisja ndryshe. Mes nesh ka patur gjithnjë shumë dashuri. Shiheshim pak, por e gënjenim largësinë me telefonata të shpeshta dhe letra të gjata. Takimi ynë i përvitshëm ishte në maj, në Romë, kur Nënë Tereza shkonte në Shtëpinë e saj, dhe në Palermo”.

A ka ndonje frazë, që i pëlqente ta përsëriste?

“Më porosiste të lutesha gjithnjë për të mbajtur të bashkuar familjen, vlerë të cilën e kishte më për zemër. Të lexoja lutjet së bashku me familjen, ashtu siç bënte ajo me nënën dhe vëllezërit në vitet e vështira të fëmijërisë në Shkup. Si shenjë e ngrohtësisë dhe e lidhjes brenda familjes.”

Si ishte nga afër Nënë Tereza?

“E fortë dhe me kurajë, kokëulur dhe e thjeshtë, e rreptë më shumë me veten se me të tjerët. U kushtoi gjithë jetën të tjerëve. Ka jetuar me një thjeshtësi të skajshme, por me një gëzim të brendshëm për t’u admiruar. E kam takuar për herë të parë në 1966 në Romë. Im atë, Llazari, nuk e shihte prej 38 vjetësh. Ishte tejet emocionuese. Rrethana të ndryshme, e mbi të gjitha qëndrimi i saj i gjatë në Indi, për vite të tëra i kishin penguar të takoheshin. Çka më bëri më shumë përshtypje ishin sytë e saj të gjallë e të zgjuar, që pasqyronin një njeri të ndryshëm nga të tjerët. Ndonjëherë qëndronim në heshtje duke u lutur: prania e saj më bënte të ndjehesha më mirë”.

Cilat janë objektet që ju ka lënë?

“Disa rruzare plastike, medaljone me figurën e Shën Mërisë dhe një shishe xhami me ujë të bekuar, me të cilën “Nëna” ka bekuar shtëpinë time. Ky është objekti më i dashur për mua: më shoqëron kudo. Kam vënë re që ndër vite ky ujë ka mbetur gjithnjë i kthjellet…”.

Për ç’arsye motra shqiptare e Kalkutës është dashur në të gjithë botën?

“Sepse ishte një grua që çmonte më shumë veprat se fjalët. Punonte shumë, pa u shqetësuar për kotësira e gjëra të parëndësishme. Humbja e saj na ka lënë një boshllëk të madh. Që nga 6 shtatori 1997 kam humbur një pikë referimi shumë të rëndësishme”.

Botuarnë Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003

Sanatoria. Nis pritja, ecuria e praktikave ndiqet në internet

Diritto di cittadinanza: da domani foto-poster di “Inside Out” in otto città italiane