in

Liberalizimi i vizave. Paditen dy kryetarë komunash për dhënie certifikatash të rreme

Shtimi i personave që kërkojnë strehim politik në vendet e BE-së, problem i ngritur së fundi nga autoritetet evropiane edhe për Shqipërinë, vë në lëvizje edhe organet e drejtësisë. Paditen kryetarët e Pasdrimës dhe Koplikut  për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të dokumenteve

Tiranë, 24 tetor 2011 – Dy kryetarë komunash  janë vënë në hetim nga policia pasi dyshohen se kanë lëshuar vërtetime të rreme për persona të ndryshëm, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë, problem ky i rritur dy muajt e fundit dhe që detyroi drejtorin belg të  Emigracionit Roosemont, të shkonte para një jave në Shkodër për të takuar autoritetet lokale.

Policia e Shtetit i ka përcjellë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër materiale në ngarkim të shtetasve Faz Shabaj, 62 vjeç, Kryetar i Komunës Postribë dhe Ramadan Likaj, 45 vjeç, Kryetar i Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe.
Sipas policisë, këta shtetas akuzohen se kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm se janë në hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë strehim në Belgjikë, duke konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Pas verifikimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me organet policore belge, ka rezultuar se praktikat e dorëzuara nga shtetasit shqiptarë për të përfituar azil ishin vërtetime të lëshuara nga Komunat ose Bashkia Koplik dhe nga Shoqata Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar pikërisht  nga personat e sipërpërmendur pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje. 

Bëhet e ditur gjithashtu se, nga ana e Policisë së Shtetit janë marrë gjithashtu dhe të gjitha dokumentet  e Sekretarit të Shoqatës Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër. Ndërkohë që, strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre.

I heqin veshkën gjatë operacionit. Prokuroria do të nisë hetimet

Zihet me të shoqen dhe kërcënon me vdekje të bijën 3 vjeçe. E arrestojnë