Paguajnë më shumë taksa dhe kontribute nga ç’përfitojnë në shërbime sociale. Analiza e Fondacionit Leone Moressa dhe e Krahinës Emilia Romagna në Dosierin Statistikor të Imigracionit Caritas/Migrantes
Romë 31 tetor 2011 – Imigrantët japin më shumë nga ç’marrin. E nuk është një opinion. Janë shifrat ato që thonë se ata paguajnë si kontribute e taksa 11,7 miliardë euro dhe marrin në shërbime të ndryshme sociale 10,5 miliardë euro.
E nxjerr në dukje studimi i Valeria Benvenuti-t (e Fondacionit Leone Moressa) dhe Andrea eStuppinit (i Krahinës Emilia Romagna) mbi impaktin fiskal të imigracionit që përfshihet në Dosierin e imigracionit Karitas/Migrantes.
Në veçanti, në studim thuhet se në vitin 2009 janë 3.260.019 taksapaguesit e lindur jashtë Italisë me të ardhura vjetore mesatare prej 12.507euro. Nga këta 1.898.065 taksapagues janë me shtetësi të huaj dhe gjatë vitit 2010 kanë deklaruar të ardhura vjetore mesatare prej më pak se njëmijë euro (987 euro).
Shqiptarët ashtu si edhe për numrin e përgjithshëm të imigrantëve renditën të dytët edhe ms të punësuarve: në vitin 2009 ishin 230.890 taksapaguesit në Itali të lindur në Shqipëri, nga këta 211.914 janë shqiptarë. Në vitin 2010 shqiptarët kanë deklaruar të ardhura mesatare prej 1.004 eurosh në muaj, diçka më pak se indianët (1.090 euro) dhe marokenët (1.046 euro) dhe më shumë se të ardhurat mesatare mujore të të gjithë të punësuarve të huaj (987 euro).
Duke parë hyrjet në arkat e shtetit dhe shpenzimet e Italisë për imigracionin sipas studimit, për vitin 2009 bie në sy që popullsia e imigruar në Itali paguan si kontribute shoqërore rreth 7,5 miliardë euro, dhe si taksa (përfshirë këtu edhe tatimet e ndryshme si IVA mbi mallrat e konsumit, lotari dhe taksat mbi shtetësinë dhe lejet e qëndrimit) 4,2 miliardë, pra gjithsej 11,7 miliardë euro.
Në këmbim, popullsia e imigruar në Itali përfiton nga shteti, për shëndetësinë rreth 3,1 miliardë euro, për shkollën 3 miliardë, shërbime shoqërore nga komunat 500 milionë euro, për shtëpinë 400 milionë, për pensione, rimbursime për papunësinë dhe për çeqe familjare 1,5 miliardë euro. Gjithashtu shteti shpenzon për të huajt edhe 1,5 miliardë euro për burgje e gjykata dhe 500 milionë euro për qendrat e pritjes, të identifikimit dhe të dëbimit. Shpenzimet e përgjithshme për të huajt shkojnë në 10,5 miliardë euro, praktikisht 1,2 miliardë më pak nga ç’hyjnë prej tyre në arkat e shtetit.