Janë rreth 1.300 infermierë dhe 431 mjekë shqiptarë që punojnë në Itali
Romë, 31 tetor 2011 – Nga një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë*, del në dritë që, përsa i përket mjekëve dhe infermierëve të huaj në sistemin shëndetësor, Italia tërheq më shumë infermierë se mjekë. Në fakt infermierët e huaj në strukturat shëndetësore italiane përfaqësojnë 11% të të gjithëve, ndërsa mjekët e huaj më pak se 4%.
Përllogaritet se Italia ka nevojë për më shumë se 70.000 infermierë. Aktualisht të huajt përbëjnë 11% të të gjithë infermierëve, dhe qoftë në vlerë absolute qoftë në përqindje ata janë në rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Sipas federatës së infermierëve profesionistë, asistentëve shëndetësorë (Ipasvi), infermierët e huaj në Itali kanë qenë 2.612 në vitin 2002, kanë shkuar në 6.730 në vitin 2005 (2%). Dukuria ka shpërthyer në vitin 2008 kur infermierët e huaj në Itali arritën në 34.043 vetë. Ata vijnë kryesisht nga Rumania (25%), Polonia (10,7%), Zvicra (7%), Gjermania (5,6%) dhe Peruja (5,3). Nga Shqipëria vijnë rreth 1.300 infermierë.
Italia është vendi me më shumë mjekë në botë, me një mesatare prej 4 mjekësh për çdo 1.000 banorë, kundrejt një mesatareje të vendeve të OSBE-së që është 3 mjekë për 1.000 banorë. Deri më sot është vërejtur një surplus mjekësh, por kjo prirje po ndryshon. Vitet e ardhshme Italia do të ketë nevojë për mjekë të huaj, edhe pse deri më sot këta e kanë të vështirë të gjejnë punë qoftë për shkak të ligjit në fuqi, qoftë për shkak të sektorit disa të mbyllur (bijtë e mjekëve zënë vendin e baballarëve në struktura publike e private).
Sipas të dhënave të vitit 2009 të federatës italiane të mjekëve dhe dentistëve (Fnomceo), 4% e mjekëve në Itali janë të të lindur jashtë italisë. Vijnë nga Gjermania (1.276 mjekë), Zvicra (869), Greqia (851), Irani (752), Franca (686), Shtetet e Bashkuara (618), Argjentina (584), Rumania (555) e Shqipëria (431). Gjithsesi po të mbahet parasysh që shumë prej këtyre mjekëve janë italianë të lindur jashtë Italisë apo ndërkohë kanë marrë shtetësinë italiane, përqindja e mjekëve të huaj zbret në 1%.
Sipas të dhënave të shoqatës së Mjekëve me origjinë të huaj (Amsi), 80% e mjekëve të huaj ka mbaruar studimet në Itali. Rreth 50% e tyre punojnë në Veri, 25% në Italinë e Mesme dhe 20% në Jug. 2,7% e mjekëve të huaj janë të regjistruar në Urdhrin e mjekëve në Itali por ushtrojnë profesionin jashtë shtetit.
* Organizata Botërore e Shëndetësisë (World Health Organization), OBSH, është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara me përgjegjësi parësore për çështje të shëndetit ndërkombëtar dhe shëndetit publik. Përmes kësaj organizate, që është krijuar në vitin 1948, mjekësia nga 191 vende të botës shkëmben dijet dhe përvojën e saj me synimin për të bërë të mundur gëzimin nga të gjithë qytetarët e një shëndeti, i cili mund ti lejojë ata të bëjnë një jetë produktive nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Qendra është në Gjenevë. Shqipëria është anëtarësuar që në vitin 1947.