Pas operacionit me të cilin solli në jetë djalin, 35-vjeçarja Alketa Baloshi ka pasur një hemorragji të brendshme e ka vdekur. Prokuroria nis hetimet mbi ngjarjen
Romë, 5 nëntor 2011 – Para disa ditëve 35-vjeçarja Alketa Baloshi, ka shkuar në spitalin e Recanatit për të bërë lindjen e programuar me operacion. Ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm, por hemorragjia e brendshme, menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale, i ka marrë jetën nënës.
Mbi ngjarjen tragjike që ka prekur familjen shqiptare rezidente në Recanati, ka nisur hetimet Prokuroria e Anconës, ndaj edhe kufoma e Baloshit nuk u është dhënë ende familjarëve, por është në dispozicion të organeve të drejtësisë për autopsinë. Hetimet duhet të nxjerrin në dritë nëse ajo çka ndodhi ishte thjesht një fatkeqësi e parashikueshme apo personeli i spitalit ka ndonjë faj për fundin tragjik të gruas që nuk mundi as të marrë në krahë foshnjën e saj.
Tani për tani e vetmja gjë e sigurt është që 35-vjeçares i mori jetën përkeqësimi i hemorragjisë së brendshme pas lindjes me operacion të bërë pak ditë më parë në spitalin e qytetit ku ajo jetonte, Recanati. Lindja e programuar, teknikisht ka shkuar shumë mirë, në kuptimin që djali lindi shumë mirë. Menjëherë më pas, mjekët kuptuan se gruaja kishte një hemorragji të lehtë të brendshme që me kalimin e orëve bëhej gjithnjë e më serioze. Drejtoria e spitalit vendos ta çojë në spitalin e Civitanovas ku gruaja mund të kurohej më mirë. Por këtu, mjekët kanë kuptuar menjëherë që nuk mund të bëjnë asgjë për Alketa Baloshin dhe vendosin ta çojnë në një tjetër spital, atë të Anconas, me një repart shumë të mirë të kirurgjisë vaskulare. Këtu e fusin menjëherë në repartin e rianimacinit ku për ditë me radhë nëna e re luftoi kundër vdekjes, deri të enjten e shkuar rreth orës 22 kur zemra e saj pushoi.
Të dërrmuar e me lot në sy e motra, i shoqi dhe të afërm të tjerë që nga e premtja në mëngjes qëndrojnë në institutin e anatomisë patologjike të Anconës ku ndodhet trupi i pajetë i Alketës.