in

Shpresa, Janissa e Gioia{br}Të zëna në çark nga uji e balta

Një nënë me dy vajzat e vogla kërkoi t’i fshihej furisë së ujit në hyrjen e një pallati. U mbuluan nga dy metra ujë e baltë

 

Nga Michela Gargiulo – Il Fatto quotidiano, 5 nëntor 2011

U përpoqën t’i shpëtojnë dallgëve duke u fshehur pas portës së një pallati që brenda pak sekondave iu kthye në çark. Një nënë e dy vajzat e saj nuk arritën as të shkojnë deri te shkallët e pallatit. Uji dhe balta i vunë poshtë që të tria e vdiqën bashkë, në qendër të Genovas, në rrugën Fereggiano 2, në zonën Marassi. Dëshmitarët tregojnë se i kanë parë të dalin nga makina ndërsa burri që ishte me to sapo kishte zbritur për të marrë ca vegla pune.

Bilanci i përmbytjes që goditi Genovan është dramatik: shtatë të vdekur deri tani, por ata që merren me operacionet e shpëtimit thonë se bilanci mund të përkeqësohet. Me gruan e re Shpresa Djala dhe vajzat e saj vdiq edhe një tjetër grua. Palombarët e zjarrfikësve nxorën nga bodrumi i pallatit i mbushur me ujë e baltë edhe trupin e pajetë të Angela Chiaramontes, 40 vjeçe, e shoqja e një agjenti të policisë së Burgjeve. “Situatë dramatike – tregojnë shpëtimtarët – gratë e shkreta bashkë me dy vajzat e vogla janë futur këtu për të gjetur një rrugë shpëtimi, por në të vërtetë e kanë futur veten si në çark, i mbyti uji dhe balta”. Evelina Pietranera ishte 50 vjeçe e shiste gazeta e revista në rrugën Fereggiano: i shoqi e ka identifikuar në darkë, në morg. Maria Costa, që e thërrisnin Serena, ishte 19 vjeçe. Vdiq pasi mori të vëllanë 14 vjeç nga shkolla. Vrulli i ujit i zuri në motoçikletë. Ai shpëtoi, ajo jo. Viktima e shtatë është Cristian Silvestri, edhe ai ishte vetëm 20 vjeç.

Gjithçka ndodhi brenda pak sekondave, në zemër të qytetit, mes rrugës Fereggiano dhe sheshit Galileo Ferrari. “Mbërrita këtu pak para orës 15 dhe qarkullonin zëra që dy-treqind metra më tutje një grua e moshuar kish vdekur e shtypur nga një makinë e marrë përpara nga uji – tregon Piero, një pensionist  që jeton disa qindra metra më tutje nga ajo zonë. – Situata që gjeta ishte e tmerrshme. Njerëzit nëpër dritare ishin të dëshpëruar. Në rrugë, mes baltës, njerëz që qanin e bërtisnin, të tjerë që kërkonin makinat. Dola me vrap në rrugë për të dhënë një dorë sapo kuptova ç’kish ngjarë. Gjeta makina që pluskonin, në dy metra ujë. Ishte e qartë që kish ndodhur diçka dramatike”.

Situata në atë zonë të Genovas mori tatëpjetën rreth orës 14. “Mjaftoi një çast – tregojnë ca dëshmitarë. – Uji që mbushte sheshin Galileo Ferrari mbërrinte në nyje të këmbës. Kuptohej që situata ishte me rrezik por kishte shumë njerëz, asnjë nuk e mendonte që gjithçka do të rrokullisej me shpejtësi kaq papritur. Shumë vetë përpiqeshin të hiqshin prej aty makinat. Askush nuk e priste dallgën e lartë. Ndërsa uji nuk arriti të ndiqte i gjithi galerinë, dhe dallga e lartë e krijuar vuri përpara gjithçka që gjeti, njerëz e makina”.

Askush nuk e dinte akoma deri në atë çast, që në hyrjen e pallatit në numrin 2 të rrugës Fereggiano ishin trupat e dy vajzave dhe e dy grave. Forcat e shpëtimit rikuperuan fillimisht në të njëjtën rrugë tre viktimat e tjera. “Nëna e një mikut të djalit tim – shpjegon sërish Piero – shpëtoi sepse arriti të dilte nga makina. Ishte me fat të madh. Të shpëtoje në atë situatë ishte vërtet mrekulli: nga 30 centimetra ujë, në 15-20 sekonda u kthye në dy metra baltë”.

Në tragjedi, gjenovezët mbajnë pranë njëri tjetrin. Telefonat nuk funksionojnë mirë. Komunikimi ndërpritet e në këto kushte aktivizohen në social media. Në Twitter e Facebook dëgjon zërin e tyre. Fjalë dashamirësie, solidariteti dhe ndihme. “Mos zbrisni në katet e poshtme, mos u shqetësoni nëse telefonatave nuk u përgjigjen”. Errësira mbështjell një qytet të tronditur e të vrarë. “Është situatë surreale. Rrugët janë bosh, dritat e qytetit të shuara, shumë pallate janë në errësirë e nga rubineti del ujë i verdhë – tregon një gjenovez që për gjithë pasditen ka qëndruar para televizorit – Edhe për nesër parashikimet nuk janë të mira. Le të shpresojmë”.

Genova në baltë, emergjenca vazhdon

Recanati. Vdes pas lindjes me operacion, Alketa Baloshi