in

Shqiptarët në Italinë e krizës

Prania është më e madhe në numër se një vit më parë, por nga ana tjetër 45 mijë nuk kanë mundur të përtërijnë lejen e qëndrimit. Ja disa nga të dhënat e dosierit mbi imigracionin Caritas/Migrantes

Numri i shqiptarëve rezidentë në Itali shkon në 482.627 vetë (1 janar 2011, të dhëna ISTAT), por rritja vjetore është më e ulëta e dhjetë vjetëve të fundit, as 16 mijë. Por sipas ekspertëve të dosierit mbi imigracionin Caritas/Migrantes, ardhjet e lindjet në Itali kanë qenë më të larta por janë kompensuar deri në njëfarë masë nga ikjet, apo më mirë, nga ata që kanë humbur vendin e punës, për rrjedhojë, nuk kanë mundur të përtërijnë lejen e qëndrimit. Praktikisht, përveç rritjes së vogël të numrit të imigrantëve shqiptarë në Itali, ashtu si edhe për të gjitha komunitetet e të huajve në përgjithësi, mund të flitet për një  “ndërrim” të imigrantëve, apo për fenomenin e quajtur “rotacion”. Nga 224.399 shqiptarët me lejeqëndrimi për punë të vlefshëm në fund të vitit 2009, ka rezultuar që në fund të vitit 2010, 41.447 kanë humbur lejen e qëndrimit dhe janë detyruar ose të kthehen në atdhe ose të fshihen në tunelet e errëta të punës në të zezë. Praktikisht këta janë zëvendësuar me të tjerë.

Shqiptarët ashtu si edhe për numrin e përgjithshëm të imigrantëve renditën të dytët edhe mes të punësuarve: në vitin 2009 ishin 230.890 taksapaguesit në Itali të lindur në Shqipëri, nga këta 211.914 janë shqiptarë. Në vitin 2010 shqiptarët kanë deklaruar të ardhura mesatare prej 1.004 eurosh në muaj, diçka më shumë se të ardhurat mesatare mujore të të gjithë të punësuarve të huaj (987 euro).

Punojnë në bujqësi 23.889 shqiptarë, nga të cilët 8,2% vijnë me flukset stinore.

Përsa u përket remitancave: në përgjithësi në Itali vërehet një ulje gjatë dyvjeçarit 2009-2010 me -5,4%.

Në rastin e shqiptarëve jo, madje ka një rritje të remitancave me +1,5% nga 133.634.000 të vitit 2009 në 135.580.000 në vitin 2010. Gjithsesi shifra më vete nuk mund të thotë asgjë pasi flet vetëm për remitancat e dërguara përmes kanaleve zyrtare dhe nuk merr parasysh të gjitha shumat e tjera që shqiptarët dërgojnë në Shqipëri kur udhëtojnë personalisht atje.

Janë 5.628 shqiptarët që gjatë vitit të shkuar kanë marrë shtetësinë italiane, vetëm për rezidencë (4.462 persona) apo për martesë (1.166). Pa marrë parasysh të rinjtë 18-vjeçarë, të lindur në Itali, që kërkojnë dhe marrin edhe shtetësinë italiane me anë të një procedure të veçantë në komunë.

Janë 99.205 nxënësit shqiptarë në bankat e shkollave italiane. Shqiptarët, të cilët nga viti 2000 deri në vitin 2006, janë renditur të parët për nga numri i nxënësve të pranishëm në shkolla, me fluksin e madh të rumunëve në Itali, kanë zbritur në vend të dytë. Fëmijët e të rinjtë shqiptarë janë të shpërndarë pak a shumë njësoj në të gjitha ciklet e shkollës, me përqendrim disi më të madh në shkollën fillore: ndjekin kopshtin (21.964), ciklin e parë të tetëvjeçares (34.779), ciklin e dytë të tetëvjeçares (20.149) dhe shkollën e mesme (22.313).

Përgatiti Keti Biçoku

Lexo edhe: Shqiptarët në Itali. Vetëm 514 vetë në vitin 1980

 

Dy të rinj shqiptarë mes fituesve të çmimit Marco Magnani

Mjeku që i hoqi veshkën B. Metës, sot nuk i përgjigjet prokurorisë